LAJMET E MBRËMJES

Serbët protestuan në Leposaviq e Zveçan, kërkuan lirimin e tre të arrestuarve

Një protestë ndryshe nga ato që janë bërë javëve të fundit është mbajtur në Leposaviq të hënën. Dhjetëra qytetarë serbë u mblodhën para komunës për të kundërshtuar arrestimin e tre personave të dyshuar për sulme ndaj gazetarëve. Protesta nuk zgjati e u përmbyll pa ndonjë tension.

Një arsye të re gjetën të hënën serbët që të protestojnë para Komunës së Leposaviqit.

Krahas prezencës së kryetarit të ri, për të cilin protestojnë që nga fundi i majit, protestuesit u mblodhën për të kundërshtuar arrestimet e sulmuesve të gazetarëve ditëve të fundit.

Sipas tyre, tre të arrestuarit janë duke u mbajtur padrejtësisht në paraburgim e kërkuan lirimin e tyre.

Protesta që zgjati rreth 30 minuta e përfundoi e qetë.

Për të njëjtën arsye serbët protestuan edhe në Zveçan. Kësaj proteste i kanë prirë punëtorë shëndetësorë.

E krejt pasdite, si rrallëherë javët e fundit, në Leposaviq nuk u pa asnjë prej protestuesve.

As nga ata që protestojnë kundër kryetarit e as kundër arrestimeve.

Karriget e bankinat ishin të zbrazëta derisa mbeturinat ishin gjurmët e vetme që dëshmonin praninë e protestuesve.

Situata e qetë bëri që edhe ushtarët e KFOR-it të ishin më të relaksuar me pozicionet e tyre.

Pranë automjeteve vazhdonin të siguronin objektin e komunës.

Afër tyre, përveç disa automjeteve me targa RKS, nuk u pa ndonjë pjesëtar i Policisë së Kosovës.

Zyra është bërë shtëpi e vend pune për kryetarin e Leposaviqit, Lulëzim Hetemi tash e 22 ditë. Qasja tek ai është e pamundur shkaku i kordonit të KFOR-it të vendosur në oborrin e objektit të komunës. Krahas zyrtarëve policor që kujdesen për sigurinë e tij, Hetemi që nga 29 maji është vizituar nga ministra e deputetë të Lëvizjes Vetëvendosje.

Vizita e fundit ishte ajo e ministrit të Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi.

Prania e tij në objektin komunal nxiti reagimin e protestuesve, të cilët më pas sulmuan gazetarët.

Në tri ditët e fundit, Policia e Kosovës ka arrestuar tre persona me dyshimin se kanë sulmuar gazetarët gjatë raportimeve të tyre nga veriu.