Ka hyrë në javën e dytë protesta në tri komunat në veri të Kosovës, Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviq. Përderisa qetë e pa tensione përfunduan protestat në Zubin-Potok e Leposaviq, në Komunën e Zveçanit, pati tensione. Një veturë e Policisë së Kosovës u pengua në lëvizje nga protestuesit. E sipas policisë, ajo më pas edhe u sulmua. E KFOR-i në këtë komune vendosi t’i heqë telat gjemborë.
Telat gjemborë të cilat u vendosën pas përleshjes mes KFOR dhe serbëve lokalë më 29 maj, para objektit të Komunës së Zveçanit, janë hequr të hënën në mesditë nga misioni i NATO-s në Kosovë.
Vetëm një pjesë e tij rreth murit të objektit të komunës ka mbetur aty afër ku serbët lokalë kanë qëndruar edhe të hënën, për të njëmbëdhjetën ditë për të kundërshtuar hyrjen e kryetarit Ilir Peci.
E me t’u hequr teli me gjemba, protestuesit serbë, vendosën një mbishkrim afër objektit të komunës, ku shkruante “Zveçani është i përjetshëm”.
Serbët aty penguan lëvizjen e një automjet i Policisë së Kosovës nëpër Zveçan.
Vetura policore ka ngecur mes protestuesve për rreth 15 minuta, derisa i është hapur rruga për qarkullim nga pjesëtarë të misionit paqeruajtës të NATO-s në Kosovë, KFOR.
Sipas zëdhënësit të policisë Baki Kelani, vetura e policisë është sulmuar nga persona ende të panjohur.
“Mund ta konfirmojmë se një veturë policore, e cila ka qenë me detyrë zyrtare duke patrulluar në drejtim të Komunës së Zveçanit është penguar dhe sulmuar me mjete te forta nga protestuesit. Si pasojë e sulmit me mjete të forta, veturës i është thyer xhami, e cila më pas është larguar nga ai lokacion. Nuk raportohet për të lënduar, përderisa rasti është duke u hetuar”, ka theksuar Kelani.
Bashkë me protestuesit u panë edhe kryetari dhe nënkryetari i Listës Serbe, Goran Rakiq dhe Igor Simiq.
Ata nuk treguan nëse do të takohen me emisarët, Miroslajv Llajqak, e Gabriel Escobar, të cilët do të qëndrojnë në Kosovë.
Kryetari i Zveçanit, Ilir Peci ka njoftuar se Slagjana Pantoviq është emëruar nënkryetare e Komunës.
Pantoviqit i ishte ofruar mbrojtje policore për shkak të kërcënimeve që mori.
E situatë krejtësisht ndryshe ishte në komunën e Leposaviqit, ky kryetari i zgjedhur në muajin prill, është duke qëndruar brenda objektit të komunës.
KFOR-i italian, i cili u përkujdes të hënën për ruajtjen e rendit dhe qetësi, nuk hoqën telin gjemborë. Aty situata vëzhgohej edhe nga qielli.
Protesta e qetë ishte edhe në Komunën e Zubin Potokut.