Protestë e qetë është zhvilluar edhe të premten në Leposaviq. Protestuesit serbë vazhduan ta kërkojnë largimin e kryetarit Lulzim Hetemi, i cili prej së hënës nuk ka dalë nga objekti komunal.
I mbyllur në objektin e Komunës për të pestën ditë rresht ka vazhduar të qëndrojë kryetari i Leposaviqit, Lulzim Hetemi.
Dhjetëra protestues serbë janë mbledhur edhe këtë të premte para objektit komunal, duke kërkuar largimin e Hetemit dhe të njësive speciale nga ndërtesa, që deri para zgjedhjeve të 23 prillit menaxhohej komuna paralele serbe.
Protesta ka qenë e qetë, e grumbullimi i serbëve nisi që nga orët e hershme të mëngjesit.
Ndryshe prej orëve të hershme të mëngjesit, kur numri i protestuesve ishte shumë më i madh para ndërtesës së Komunës së Leposaviqit, pas mesditës ky numër është zvogëluar dukshëm.
Përveç pankartave me mbishkrimin ‘kjo është Serbi’ e këngëve me motive nacionaliste, nuk ka pasur tentativa për t'iu afruar objektit komunal. E njëri prej protestuesve mbajti një helmetë e në duar pankartën me mbishkrimin ‘Kombet e Bashkuara na ndihmoni’.
Sigurinë rreth objektit ka vazhduar ta garantojë KFOR-i amerikan, i cili prej së hënës ka vendosur edhe telat me gjemba përreth.
Protestuesit nuk pranuan të flasin para kamerave.
Të udhëhequr nga ish-kryetari i Leposaviqit, Zoran Todiq, e ish-deputeti i Listës Serbe, Slavko Simiq, nuk lejuan as që kamerat të afrohen për të incizuar në njërin prej diskutimeve të pakta që kanë pasur me udhëheqës të KFOR-it, në orët e pasdites.
Todiq kërkoi një zgjidhje në mënyrë që protestuesit të largohen, dhe tha se në mesin e tyre nuk ka kriminel dhe se ata janë paqësorë.
E njëri prej protestuesve, në kushte anonimiteti tha se serbët nuk i duan problemet e as tensionet. Ky pensionist tha se serbët duan punë, investime e zhvillim, dhe jo probleme. Sipas tij, kjo do të ishte më e mira për të gjithë.
Serbët kanë thënë se do t'i vazhdojnë protestat deri në përmbushjen e kërkesave të tyre, e që janë largimi i kryetarit Hetemi dhe pjesëtarëve të Njësisë speciale të Policisë, që ndodhen brenda objektit komunal.