Protestuesit serbë kanë vazhduar që me protestë të kërkojnë largimin e kryetarit të Komunës së Leposaviqit, Lulzim Hetemi nga objekti, edhe në ditën e tretë të protestës. Derisa Hetemi ka vazhduar të qëndrojë brenda objektit, qindra qytetarë serbë kanë zhvilluar protestë të qetë, përderisa pati sërish provokime ndaj gazetarëve shqiptarë
Protestë e qetë është zhvilluar të mërkurën në Leposaviq. Grumbullimi i qytetarëve serbë para objektit të Komunës ka nisur në orët e hershme të mëngjesit. Ata kanë qëndruar kryesisht në kafenetë që ndodhen pranë objektit komunal.
Hapësira përreth objektit ishte e rrethuar me tela gjemborë derisa për sigurinë kanë vazhduar të kujdesen pjesëtarët e KFOR-it.
Krahas mjeteve të KFOR-it, në oborrin e Komunës janë edhe dy autoblinda të Policisë së Kosovës.
Derisa jashtë objektit komunal lart valëvitej flamuri i Kosovës, i Serbisë, UNMIK- dhe ai komunal, brenda objektit ka vazhduar të qëndrojë kryetari i dalë nga zgjedhjet e fundit, për të tretën ditë rresht. Nuk ka pasur asnjë tentativë për ta braktisur objektin as të mërkurën.
Largimi i Lulzim Hetemit krahas njësive speciale nga objekti i Komunës ishte kërkesa e protestuesve, me të cilët kanë qëndruar ish-kryetari i kësaj komune, Zoran Todiq, dhe ish-deputeti nga Lista Serbe, Sllavko Simiq.
Kohë pas kohe pati provokime nga protestuesit ndaj gazetareve shqiptarë që raportonin nga vendi i ngjarjes, duke u thënë "bajuni prej këtu". Ndryshe prej një dite më parë, të martën nuk pati hedhje të gjësendeve ndaj tyre e tentim për t’ua marrë pajisjet e punës.
E motivi i protestuesve është mbajtur edhe përmes këngëve me motive nacionaliste.
Një nga lëvizjet e pakta në mesditë ka qenë largimi nga oborri i Komunës i tri automjeteve, pronë e kompanive serbe, siç është telefonia mobile MTS. Largimi i tyre u bë pas kërkesës së protestuesve, e cila u miratua nga KFOR-i. Largimin përtej rrethojave e bënë pjesëtarët e KFOR-it, për t’ua dorëzuar ngasësve të kompanive.
Kjo është dita e tretë e protestës së serbëve pas futjes së kryetarit në ndërtesën kryesore të Komunës, e cila deri para zgjedhjeve të 23 prillit udhëhiqej nga Lista Serbe.