LAJMET E MBRËMJES

Pushteti e opozita fajësojnë njëra-tjetrën për mungesën e kuorumit në Kuvend

Kuvendi i Kosoves
 

Të hyrat vetjake të komunave vazhdojnë të shkaktojnë bllokadë në Kuvendin e Kosovës. Të hënën ka dështuar mbledhja e Kryesisë për shkak të mungesës së kuorumit, që sipas opozitës po ndodh për fajin e partisë në pushtet. E kryeparlamentari Glauk Konjufca ka përmendur mundësinë që javën e ardhshme të zhbllokohen nga Qeveria rreth 37.5 milionë eurot e dedikuara për komunat, në mënyrë që legjislativi t’i kthehet vendimmarrjes

Kuvendi i Kosovës është zhytur në bllokadë. Për shkak të mungesës së kuorumit, Kryesia e Kuvendit as të hënën nuk ka mundur të vendosë për caktimin e seancës. Megjithëkëtë, deputetët do të mblidhen këtë të mërkurë për t’i shqyrtuar 30 pikat e papërfunduara nga seancat e kaluara. Për situatën e krijuar pushteti dhe opozita kanë fajësuar njëra-tjetrën.

Kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, ka thënë se punën e legjislativit po e vështirëson refuzimi i opozitës për të marrë pjesë në votime, për shkak të kushtëzimit me zhbllokimin e të hyrave vetjake të komunave.