LAJMET E MBRËMJES

Hovenier: Të mos përdoret forca për të hyrë në ndërtesat e komunave

Një ditë para se të betohet kryetari i ri i Komunës së Mitrovicës së Veriut, ambasadori i SHBA-së në Kosovë, Jeffrey Hovenier, është takuar me kryeministrin Albin Kurti. Ambasadori amerikan dha mesazhin që të mos përdoret forca gjatë përpjekjes së kryetarëve të rinj për të hyrë në ndërtesat e katër komunave në veri. Ndërkohë, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka thënë se vendi i tij dhe serbët e Kosovës nuk do të njohin kurrë kryetarët e zgjedhur më 23 prill

Shtetet e Bashkuara të Amerikës u kanë bërë thirrje institucioneve të Kosovës të mos e përdorin forcën, gjatë procesit të sigurimit të qasjes së kryetarëve të rinj të komunave të veriut në objektet komunale.

Një ditë para betimit të kryetarit të Mitrovicës së Veriut, ambasadori i SHBA-së në Kosovë, Jeffrey Hovenier, është takuar me kryeministrin Albin Kurti, të cilit ia ka përcjellë këtë mesazh.

“Ne presim që kryetarët të luajnë një rol teknik dhe jo politik dhe të marrin veprime që nuk shihen si eskalim i situatës, ne presim mbështetjen e Qeverisë në këtë drejtim. Ne nuk mendojmë që është ide e mirë për shembull që të përdoret forca për të arritur qasje në ndërtesat që mund të mos jenë të qasshme në këtë kohë”, ka thënë Hovenier.

Një javë më parë, dy persona janë arrestuar pasi tentuan që ta bllokonin hyrjen e objektit të Komunës së Zveçanit. Disa ditë më vonë u intervistuan dy të tjerë, që policia i kapi tek saldonin portën hyrëse të godinës së Komunës së Zubin-Potokut.

E, autoritetet në Kosovë paralajmëruan se të premten, nga ora 11:00, Erden Atiq do ta bëjë betimin si kryetar i Mitrovicës së Veriut.

Në Ministrinë e Pushtetit Lokal nuk treguan se kur do të organizohen ceremonitë e betimit të kryetarëve të të tri komunave të tjera.

Ndërkohë Beogradi zyrtar ka paralajmëruar mundësinë e tensioneve të reja në veri.

“Është një situatë shumë e vështirë dhe e tensionuar, sidomos në veri të Kosovës. E vetmja gjë që po kërkoj nga serbët është të ruajnë paqen dhe këta nuk do të pranohen kurrë si kryetarë komunash. Kjo është trysni ndaj serbëve dhe përpjekje të krijojnë një atmosferë në të cilën serbët do të largoheshin nga vatra e tyre, asgjë më shumë”, ka thënë Vuçiq gjatë qëndrimit të enjten në Novi-Sad. “Ata do të tentojnë të mbajnë seanca konstituive në ndërtesën në veri të Mitrovicës, për tri komuna dhe të zgjedhin kryetarë të rremë, me mbështetje të QUINT-it, të zgjedhur në zgjedhje të rreme”.

Më 23 prill, në komunat veriore, të banuara me shumicë serbe - Mitrovicë e Veriut, Zveçan, Leposaviq dhe Zubin-Potok - janë mbajtur zgjedhjet e parakohshme, të cilat janë bojkotuar nga popullata lokale serbe.

Beogradi zyrtar nuk i njeh rezultatet e këtyre zgjedhjeve dhe ato i ka konsideruar “jodemokratike dhe joligjore”.

Partia e madhe e serbëve në Kosovë, Lista Serbe, ka bërë thirrje për bojkotim të këtyre zgjedhjeve.

Edhe Beogradi zyrtar e ka mbështetur bojkotin.

Sipas të dhënave të Komisionit Qendror Zgjedhor, në zgjedhje kanë dalë 1.567 votues apo 3.47 për qind e trupit zgjedhor.

Komunat në veri patën mbetur pa kryetarë nga nëntori i vitit të kaluar, meqë përfaqësuesit serbë në atë zonë kanë dhënë dorëheqje nga vendet e tyre të punës, për shkak të mospajtimit me një vendim të Qeverisë së Kosovës për riregjistrimin e makinave me targa ilegale serbe.

Beogradi insiston që Kosova ta themelojë Asociacionin që u jep kompetenca ekzekutive komunave me shumicë serbe, temë kjo që është diskutuar edhe në takimin mes kryeministrit Kurti dhe ambasadorit amerikan, të enjten në Prishtinë.

Hovenier tha se Asociacioni duhet të jetë në harmoni me Kushtetutën e Kosovës.

“Këshilla jonë për Qeverinë ka qenë vazhdimisht që të vendosë idetë e saj në tavolinë, ta dimë se çfarë vizioni ka. Ne duam që ky proces të ecë përpara. Ne shumë shpesh kemi thënë gjëra të cilat i ka thënë edhe kryeministri Kurti. Ne nuk duam që Asociacioni i komunave me shumicë serbe të jetë në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës ose në kundërshtim me vendimin e Gjykatës Kushtetuese”, ka deklaruar Hovenier.

Pas takimit me Hovenierin, kryeministri Kurti nuk ka pranuar të deklarohet. E, në procesin e dialogut ai ka shprehur gatishmëri t’u ofrojë serbëve të Kosovës zgjidhje të modelit që atyre u ka ofruar Kroacia.