Përfaqësues të nivelit lokal mohuan se janë duke i bërë opozitë nivelit qendror, ashtu siç ditë më parë u shpreh kryeministri Albin Kurti. Në takimin që zhvilluan të hënën me Kurtin, kryetarët e komunave shpalosën çështjet që, sipas tyre, janë urgjente për t’u trajtuar
Kryetarët e komunave, për të cilët javën e kaluar tha se janë duke i bërë opozitë Qeverisë, kryeministri Albin Kurti i takoi këtë të hënë.
Udhëheqësi i Qeverisë e disa prej ministrave, për rreth tri orë diskutuan me përfaqësues të nivelit lokal për disa nga problemet që i kanë adresuar së fundi.
Në mesin e çështjeve që u shtruan ishin edhe ato për të hyrat vetjake të komunave, tatimin në pronë, si dhe shfrytëzimin e pronave që janë nën menaxhimin e AKP-së.
Pjesëmarrësit e përshkruan takimin si pozitiv dhe u shprehën optimistë se kërkesat e tyre do të trajtohen.
“Ne kërkojmë vazhdimisht edhe nga qeveritë e kaluar edhe tash kemi rastin me qeverinë Kurti që të jemi kërkues por jo absolutisht që të jemi opozitë sepse opozita e qeverisë Kurti është në parlamentin e Kosovës, aty bëhet opozitë”, tha Ali Aliu, kryetar i Asociacionit të Komunave të Kosovës.
Por, sipas kryetarit të Komunës së Gjilanit nga radhët e Vetëvendosjes, Alban Hyseni, ndaj nivelit qendror ka një betejë politike nga ai lokal.
“Në shumë raste ka një tendencë në organizimin e Asociacionit kundrejt politikave të qeverisë, që deri në një masë një garë politike ndoshta mund të jetë e kuptueshme por shumë herë mund ti kalojë edhe ata kufijtë e ata normales që mund të kuptohet”, tha Hyseni.
Kryetarët e komunave që vijnë nga partitë opozitare janë ankuar se kanë vështirësi komunikimi me ministrat. Një gjë të tillë e konfirmoi edhe Hyseni, por e arsyetoi me agjendën e ngjeshur të anëtarëve të kabinetit qeveritar.
E ministri i Pushtetit Lokal, pas takimit me kryetarët e komunave, tha se në baza ditore angazhohen që të kenë koordinim me nivelin lokal.