Kryetari i KQZ-së, Kreshnik Radoniqi, ka thënë se janë bërë të gjitha përgatitjet për këtë proces, ndërkaq i ftoi qytetarët e Mitrovicës së Veriut, Zveçanit, Zubin Potokut e Leposaviqit që ta shfrytëzojnë të drejtën e votës. Në mbledhjen e së shtunës të KQZ-së, me votë unanime është vendosur për zëvendësimin e komisionerëve të dorëhequr nga Partia e Serbëve të Kosovës, subjekt ky politik i drejtuar nga Aleksandar Jabllanoviqi, i cili të mërkurën ka tërhequr kandidaturën në garën për kryetar të Komunës së Leposaviqit
Kryesuesi i Komisionit Qendror Zgjedhor (KQZ), Kreshnik Radoniqi, u ka përçuar të shtunën mesazh për pjesëmarrje në zgjedhje të gjithë qytetarëve në katër komunat veriore të Kosovës, të banuara kryesisht me serbë.
Radoniqi, në mbledhjen e fundit të KQZ-së para zgjedhjeve të së dielës, ka bërë të ditur se institucioni që e drejton i ka bërë të gjitha përgatitjet për ditën e votimit dhe i ka ftuar qytetarët e Mitrovicës së Veriut, Zveçanit, Zubin Potokut e Leposaviqit që ta shfrytëzojnë të drejtën e tyre për votë.
“Si KQZ kemi ndërmarrë të gjithë hapat e nevojshëm për organizimin e zgjedhjeve. Kemi vendosur të gjitha vendvotimet e miratuara dhe çdo gjë është gati për fillim të zgjedhjeve. Andaj, në emër të KQZ-së, i ftoj të gjithë qytetarët e komunave të veriut që të shfrytëzojnë të drejtën e tyre kushtetuese për të dalë në zgjedhje dhe në këtë formë të zgjedhin përfaqësuesit e tyre legjitimë dhe të ndërtojnë institucionet e tyre demokratike, me shpresë që i gjithë procesi do të shkojë i qetë dhe i lirë”, ka thënë Radoniqi.
Anëtarët e KQZ-së, gjatë mbledhjes së të shtunës, kanë diskutuar mbi çështjet e fundit përgatitore.
Me votë unanime është vendosur për zëvendësimin e komisionerëve të dorëhequr nga Partia e Serbëve të Kosovës, subjekt ky politik i drejtuar nga Aleksandar Jabllanoviqi, i cili të mërkurën ka tërhequr kandidaturën në garën për kryetar të Komunës së Leposaviqit.
Burim Ahmetaj, kryeshefi ekzekutiv i Sekretariatit të KQZ-së, ka theksuar se zëvendësimi i tyre do të bëhet me zyrtarëve të administratës lokale të regjistrit civil si dhe nga stafi i sekretariatit të KQZ-së.
“Kemi dorëheqje dhe mospjesëmarrjen e komunës së Leposaviqit. Së bashku me anëtarët e komisionit dhe për t’i plotësuar të gjitha vendet e lira, sekretariati ka shfrytëzuar të gjitha mundësitë dhe dispozitat ligjore, t’i plotësojë me staf. Të gjitha këto vendime i ka marrë sekretariati dhe rekomandimin e bazon në dispozitat ligjore për zgjedhjet e përgjithshme”, ka theksuar Ahmetaj.
Ai ka bërë të ditur se e shtuna është përcjellë me përgatitjet finale si në qendrat alternative të votimit, ashtu edhe në ato të rregullta, në mënyrë që të krijohen kushtet për organizmin e zgjedhjeve.
Në këto zgjedhje, e drejta e votës u është mundësuar edhe 25 personave nga komunat e veriut që janë duke u mbajtur në burgjet e Kosovës.
Ekipe mobile të KQZ-së, atyre ua kanë mundësuar votimin të shtunën.