Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe deputetë të opozitës kanë polemizuar të enjten në Kuvend lidhur me arrestimin e kryeshefit të KEK-ut, Nagip Krasniqi. Derisa i ka dalë në mbrojtje Krasniqit, Kurti ka thënë se atij po i bëhet gjyqi në seancë të Kuvendit. Ai e ka cilësuar si të qëllimshëm arrestimin e tij, duke e ndërlidhur me figurën e kandidatit për kryeprokuror shteti, Blerim Isufaj. Për këto qëndrime Kurti është akuzuar nga ligjvënësit opozitarë se po mbron një të dyshuar për përfshirje në korrupsion, i cili, sipas tyre, ka qenë zyrtar i Vetëvendosjes
Arrestimi i kryeshefit të Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK), Nagip Krasniqi, është bërë shkak që kryeministri, Abin Kurti, të drejtojë të enjten akuza të shumta kundër Prokurorisë dhe kandidatit për kryeprokuror të shtetit, Blerim Isufaj.
Në seancën e Kuvendit, në të cilën drejtori i KEK-ut është shndërruar në kryetemë diskutimesh pa qenë në rend dite, Kurti i ka dalë Krasniqit në mbrojtje, teksa ka thënë që në Prokurorinë e Shtetit ekziston një disponim negativ ndaj qeverisjes së tij.
Ai ka theksuar se në seancë plenare opozita është duke ia bërë gjyqin “një njeriu që i ka sjellë mbi 100 milionë euro fitime KEK-ut”. Kurti, ndërkaq, e ka kualifikuar Prokurorinë si selektive, ndërsa ka thënë se ajo “me zellin e njëjtë nuk kanë vepruar edhe me dëshmitë e keqpërdorimeve të mëhershme”.
Këtë ai e ka ndërlidhur me figurën e Isufajt, aftësitë e të cilit i ka vënë në pikëpyetje.
“Bëhet fjalë për një prokuror që është i mirënjohur që rastin e vrasjes së Dino Asanajt e kategorizoi në vetëvrasje, ndërsa vetëvrasjen e Hamdi Sopës e shndërroi në vrasje. Njihet si prokuror që asnjë rast nuk e ka të fituar në gjykata dhe pikërisht ky prokuror dëshiron të bëhet kryeprokuror”, ka thënë Kurti.
Ai ka thënë se drejtësia në Kosovë lëngon, shkaku që ka prokurorë të cilët nuk dinë dhe as nuk duan që të punojnë. Ndërkaq ka shprehur bindjen se Isufaj nuk do ta marrë pozitën që synon.
“Nuk është e rastësishme që prokurorët vrasjen ta bëjnë vetëvrasje dhe vetëvrasjen ta bëjnë vrasje. Duan të bëhen kryeprokurorë, por nuk do të munden. Jo pse jam unë, jo pse jeni ju, po pse në këtë shtet ka popull”, është shprehur Kurti.
Akuzat ndaj Prokurorisë, Kurti i ka bërë pasi që deputetët nga subjektet opozitare e braktisën seancën.
Por shefat e grupeve parlamentare që e dëgjuan fjalimin e tij jashtë sallës së Kuvendit u kthyen sërish në sallë për të nisur polemika me Kurtin.
Abelard Tahiri, shef i Grupit parlamentar të Partisë Demokratike (PDK), ka thënë se pushteti po e mbron një të dyshuar për përfshirje në korrupsion, i cili “qenë zyrtar i Vetëvendosjes” (LVV).
“Ekziston tashmë një siklet shumë i madh te ju dhe te grupi parlamentar. Por ta përkujtoj, që gjënë e parë që duhet ta bëni sot ju është që të mblidheni dhe ta shkarkoni Bordin e KEK-ut dhe ta lironi nga detyra kryeshefin që tashmë po mbahet në burg. Personi që po mbahet në burg, po mbahet edhe në detyrë nga pozicioni juaj”, ka thënë ai.
Në kundërpërgjigjen e tij, kryeministri ka thënë se në vend të Nagip Krasniqit, Tahiri dhe partia e tij do të donin që të kishin Njazi Thaçin, ish-kryeshefin e KEK-ut të shkarkuar nga Kurti.
Ndërkaq kundërshtime rreth qëndrimit të Kurtit për Isufajn ka shprehur edhe deputetja e Lidhjes Demokratike (LDK), Hykmete Bajrami.
“Prokurori të cilin ju nuk e doni dhe po thoni se ai me çdo kusht dëshiron që të bëhet prokuror..., sikur të dëshironte me çdo kusht të bëhej prokuror, ai do të vinte me dosjen e Nagip Krasniqit në zyrën tënde dhe të bënte pazar. Por, përkundrazi, ai nuk po dëshiron të bëjë një gjë të tillë”, ka deklaruar Bajrami.
Por këtë pretendim Kurti e ka kualifikuar si shembull në bazë të të cilit kanë vepruar qeveritë e mëhershme.
“Ama, ai e di që unë s’bëj pazare, ai ka ardhur te ju ashtu. Prandaj, ju e dini si bëhet kjo punë për t’u bërë dikush kryeprokuror. Te unë s’ka ardhur se e ka ditur se nuk ka se çka vjen”, është shprehur Kurti.
Nga opozita janë ngritur dyshime edhe për lidhje të mundshme të Krasniqit me rastin e ambasadorit të Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj.
Shefi i deputetëve të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Besnik Tahiri, i ka kërkuar kryeministrit Kurti që të distancohet nga kryeshefi i arrestuar i KEK-ut.
“Ajo që shihet dhe ajo që duket është se ky është vetëm fillimi. Dhe zinxhiri në emër të votave të juaja, në emër të 51-përqindëshit korruptiv, po shihet që nuk do të jetë i gjatë. Kërkesa ime për ju është: Mos e mbroni, qysh e keni mbrojtur aferën korruptive të Martin Berishajt”, ka thënë Tahiri.
Diskutimet janë zhvilluar në kuadër të seancës plenare, në të cilën të enjten kanë marrë miratim dy projektligje përderisa dy marrëveshje ndërkombëtare për kredi nuk arritën as që të shqyrtohen, shkaku i mospranisë së deputetëve të opozitës në seancë.
Deputetë të PDK-së e braktisën seancën, pasi që nuk ka marrë miratim mocioni i saj që të mbahej debat dhe të dilte në raportim ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, rreth rastit të arrestimit të Krasniqit.
E deputetë të LDK-së kanë dalë nga salla, për shkak të “tendencës së ministrit të Financave që t’ua marrë të hyrat vetanake komunave”.
“Prej sot, Grupi parlamentar i LDK-së deklaron se nuk merr pjesë në asnjë votim në seancë, nuk merr pjesë në asnjë votim të marrëveshjeve ndërkombëtare, nuk merr pjesë në komisione dhe do ta shqyrtojë shumë shpejt edhe çështjen e marrjes pjesë në Kryesi, sepse është puç institucional, kapja e buxhetit të komunave të cilat janë të hyra vetanake”, ka thënë deputeti nga LDK-ja, Arben Gashi.
Pas largimit nga salla të deputetëve të dy partive kryesore opozitare, shumica parlamentare ka thirrur mbajtjen e një seance të jashtëzakonshme, në të cilën janë trajtuar disa nga pikat e papërfunduara të seancave të kaluara.