“Gjithsej kanë aplikuar 37 organizata vëzhguese, duke përfshirë subjektet politike, përfaqësues të vendeve të huaja në Kosovë, shtëpi mediatike dhe OJQ... Në total do të jenë 31 organizata që do të marrin pjesë në procesin e vëzhgimit me gjithsej 357 vëzhgues”, ka thënë Besnik Buzhala, drejtor i Zyrës për Regjistrim, Certifikim dhe Kontroll Financiar të Subjekteve Politike
Më shumë punonjës të mediave sesa vëzhgues vendorë e ndërkombëtarë janë akredituar nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) për monitorimin e zgjedhjeve të parakohshme të së dielës, të cilat do të organizohen në veriun e banuar kryesisht me serbë.
Ky institucion ka marrë disa vendime në mbledhjen e së enjtes, në mesin e të cilave edhe atë për akreditimin e 357 vëzhguesve, 171 prej të cilëve janë gazetarë, kameramanë e fotoreporterë.
“Gjithsej kanë aplikuar 37 organizata vëzhguese, duke përfshirë subjektet politike, përfaqësues të vendeve të huaja në Kosovë, shtëpi mediatike dhe OJQ.... Në total do të jenë 31 organizata që do të marrin pjesë në procesin e vëzhgimit me gjithsej 357 vëzhgues”, ka thënë Besnik Buzhala, drejtor i Zyrës për Regjistrim, Certifikim dhe Kontroll Financiar të Subjekteve Politike.
KQZ-ja do ta monitorojë procesin zgjedhor edhe me ekipe mobile.
“KQZ-ja do të dërgojë ekipe për monitorimin e zgjedhjeve në katër komuna dhe kjo sigurisht që do të bëhet dhe do të miratohet. Në mbledhjen e ardhshme do të miratohet përbërja e ekipeve, të cilat do t’i monitorojnë zgjedhjet në katër komunat”, ka theksuar kryeshefi i sekretariatit të KQZ-së, Burim Ahmetaj.
Ndryshe nga zgjedhjet e shkuara, kur ishin 44 qendra votimi në komunat e veriut, më 23 prill serbët do të mund t’u drejtohen gjithsej 19 qendrave të votimi. Gjashtë prej tyre do të jenë në shkolla dhe 13 qendra alternative me kontejnerë.
Kontejnerët kanë nisur që të vendosen, ndërkaq kryeshefi i Sekretariatit të KQZ-së ka bërë të ditur se deri të shtunën do të dërgohen që të gjithë në veri.
“Sa i përket funksionalizimit të qendrave të votimit, ky proces është në proces të rregullimit të hapësirave se ku do të vendosen qendrat e votimit dhe a është në koordinim edhe me Policinë e Kosovës dhe me Ministrinë e Punëve të Brendshme. Vendosja e kontejnerëve në qendra nuk mund të bëhet përnjëherësh, sepse janë 26 kontejnerë të cilët duhet të vendosen edhe për shkak të rrethanave dhe koordinimit me Policinë e Kosovës, kemi shkuar gradualisht t’i vendosim komunë për komunë në mënyrë që të jenë funksionalë, të kenë hapësirë të mjaftueshme dhe statik të vendosur dhe pastaj shkojmë për secilin kontejnerë se a është vendosur sipas parametrave dhe kërkesave që KQZ kërkon...është proces që nuk mund të kryhet brenda ditës, por do të na marrë kohë deri të shtunën, qoftë në vendosjen e tyre, qoftë në sistemin e tyre dhe me shenjëzimin e tyre dhe informatave të tjera”, ka shtuar Ahmetaj.
Zgjedhjet e jashtëzakonshme në veri janë shpallur pas braktisjes së institucioneve lokale nga përfaqësues të Listës Serbe. Ato do të mbahen për kryetarë të komunave në Mitrovicë të Veriut, Zveçan, Zubin-Potoku dhe Leposaviq, si dhe për dy kuvendet komunale, në Zveçan dhe Leposaviq.