Pas plagosjes së një qytetari në Leposaviq, serbët përmes një peticioni kërkojnë tërheqjen e njësive policore nga veriu. Për këtë, disa qindra prej tyre kanë mbajtur edhe protestë në Leposaviq, të mërkurën. Incidentin, për të cilin Policia suspendoi katër pjesëtarë të saj, e kanë dënuar BE-ja, KFOR-i, EULEX-i e ambasada të ndryshme
Disa qindra serbë kanë protestuar të mërkurën tek ura e Bistricës në Leposaviq, ku të hënën u plagos një qytetar i këtij komuniteti, me kërkesën për tërheqjen e njësive speciale të policisë nga veriu.
Siç njoftoi “Kossev”, protestuesit çan kordonin e parë të policisë, por u ndalën në të dytin, pikërisht tek ura. Aty filluan të firmosin një peticion me kërkesën që policia të tërhiqet nga veriu. Peticionin e firmosi edhe bashkëshortja e personit që u plagos.
“Kam ardhur këtu me këta njerëz për drejtësi për burrin tim dhe për të gjithë njerëzit që jetojnë në Kosovë, për ta nënshkruar peticionin për largimin e njësive speciale nga Kosova dhe Metohia, që të mos i ndodhë më askujt ajo që i ndodhi burrit tim”, ka thënë bashkëshortja e personit të plagosur.
Policia suspendoi të martën katër pjesëtarë të saj, një i dyshuar për plagosjen dhe tre të tjerë për përfshirje në incident.
Në fakt, Policia fillimisht mohoi përfshirjen, por më vonë njoftoi për nisjen e procedurave ndaj policëve.
Bashkimi Evropian dhe Gjermania të mërkurën dënuan sulmin.
“BE-ja në Kosovë dënon incidentin e sigurisë, ku një serb i Kosovës është qëlluar dhe lënduar në afërsi të një postblloku të Policisë së Kosovës në urën e Bistricës në Zveçan. Të gjitha institucionet përkatëse ligjzbatuese tash duhet të bëjnë një hetim të shpejtë dhe të plotë dhe t’i sjellin para drejtësisë përgjegjësit”, ka shkruar BE-ja në Kosovë në Twitter.
Postimin e BE-së e ka shpërndarë edhe ambasadori gjerman në Kosovë, Jorn Rohde.
Ai e ka quajtur incidentin shqetësues, ndërsa ka mirëpritur reagimin e shpejtë të Policisë.
Me reagime kanë dalë edhe misionet e KFOR-it dhe EULEX-it. Misioni i sigurisë, KFOR, pret që institucionet e Kosovës të kryejnë hetimin e plotë të ngjarjes, ndërkohë EULEX-i ka paralajmëruar shtim të patrullimeve në veri.
Një ditë më herët reagoi edhe Ambasada e SHBA-së në Kosovë.
Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, pas mbledhjes së Qeverisë të mërkurën, tha se po bëhet punë e jashtëzakonshme për të zbuluar shkaqet dhe rrethanat e këtij incidenti.
“Siç jeni në dijeni Policia e Kosovës është më kredibilja në rajon dhe gjatë kësaj kohe ka pasur një përpjekje maksimale për ta luftuar kriminalitetin në atë pjesë të vendit tonë dhe sigurisht për të ofruar mbrojtje dhe siguri për qytetarët tanë, pavarësisht etnisë apo nacionalitetit”, ka thënë ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu.
Javëve të fundit, në prag të zgjedhjeve të 23 prillit në katër komunat veriore, tensionet në këtë pjesë të vendit janë rritur.