LAJMET E MBRËMJES

LDK-ja kërkon heqjen e TVSH-së nga faturat e energjisë

Krijimin e kapaciteteve vendore për gjenerimin e energjisë elektrike e heqjen e TVSH-së nga faturat e rrymës e ka kërkuar Lidhja Demokratike e Kosovës. Në një konferencë për media, deputeti i saj Besian Mustafa ka thënë se krahas rritjes së çmimit në produktet e tjera, rritja për 15.4 për qind e çmimit të rrymës është në dëm të situatës ekonomike të qytetarëve

Lidhja Demokratike e Kosovës ka fajësuar ekzekutivin për rritjen e çmimit të energjisë elektrike. Të enjten, Zyra e Rregullatorit të Energjisë miratoi vendimin që çmimi të rritet për 15.4 për qind, rritje kjo, e cila, sipas Besian Mustafës, deputet i LDK-së, është duke e dëmtuar gjendjen ekonomike të qytetarëve.

“E tëra kjo në një kohë krize ku çmimet e produkteve esenciale janë rritur deri në 50 për qind, kur tatimi në pronë është rritur në 100 për qind, ku pagat nuk janë rritur as në sektorin publik, as në sektorin privat dhe kur kursimet pensionale në Trust janë zvogëluar për 156 milionë euro. Shtoj kësaj edhe faktin që vitin e kaluar investimet kapitale ishin realizuar për vetëm 60 për qind, ndërsa Qeveria mburret që i kanë tepruar qindra miliona euro dhe iu krijohet një pamje e qartë e dështimeve ekonomike të kësaj Qeverie dhe të shtrydhjes financiare të familjeve kosovare”, ka thënë Mustafa në një konferencë për media.

Mustafa ka kërkuar nga Qeveria që urgjentisht të investojë në krijimin e kapaciteteve vendore për gjenerimin e energjisë elektrike. Por, duke pasur parasysh që një gjë e tillë kërkon kohë, deputeti Mustafa ka përsëritur propozimin për heqjen e TVSH-së.

“I bëjmë thirrje Qeverisë që sa më parë të fillojnë investimet në gjenerimin vendor të energjisë elektrike veçanërisht nga burimet e ripërtëritshme dhe gazit natyror, si dhe uljen e TVSH-së në faturat e energjisë elektrike në zero për qind deri në tejkalimin e kësaj krize. Fatkeqësisht për qytetarët i vetmi vend ku kanë parë ndryshimin e kësaj Qeverie është në faturat e tyre gjithnjë e më të shtrenjta”.

Qeveria e Kosovës që nga shkurti i vitit të kaluar subvencionon një pjesë të shpenzimit të energjisë elektrike nga qytetarët. Sipas deputetit Mustafa, subvencionimi i shpenzimit të energjisë, që aktualisht është duke e bërë ekzekutivi, nuk është zgjidhje dhe se me miliona eurot e shpenzuara në këtë drejtim do të mund të kryheshin investime të tjera.

“Forma me subvencionim të rritjes së çmimit të energjisë elektrike është harrnim i problemit, jo zgjidhje e problemit. Janë zgjidhje afatshkurtër të krijuara aty për aty të cilat nuk ofrojnë zgjidhje afatmesme, afatgjate të problemit e që në thelb është mungesa e kapaciteteve të gjenerimit të energjisë elektrike... Investimi i këtyre milionave në krijimin e kapaciteteve të reja gjeneruese është e vetmja zgjidhje afatgjate e qëndrueshme, për më keq që procesi i remontit të blloqeve të KEK-ut ishte vonuar shumë gjatë këtyre dy vjetëve, duke ulur ndjeshëm prodhimin vendor dhe duke rritur nevojën për import të energjisë me çmime tejet të larta”, ka deklaruar ai.

Rritja e çmimit të energjisë për 15.4 për qind është e dyta me radhë që nga viti i kaluar. Këtë rritje, nga Zyra e Rregullatorit të Energjisë kanë thënë se janë detyruar ta bëjnë në mënyrë që të ketë furnizim të qëndrueshëm.