LAJMET E MBRËMJES

LDK-ja kërkon shkarkimin e Haxhiut

Përfaqësues të Lidhjes Demokratike kërkuan shkarkimin e ministres së Drejtësisë, Albulena Haxhiut, duke e kontestuar kredibilitetin e saj për udhëheqjen me sektorin. Reagimi i subjektit opozitar ka pasuar deklaratën e ministres Haxhiu në seancën gjyqësore të së premtes rreth gazit lotsjellës në Kuvend, kur ajo i kërkoi prokurorit të që të dorëzohej dhe të hiqte dorë nga aktakuza. E akuzave të LDK-së, Haxhiu iu përgjigj me kundërakuza për montim të proceseve politike kundër Lëvizjes Vetëvendosje

Shkarkimin e ministres së Drejtësisë, Albulena Haxhiu, e kërkuan të shtunën përfaqësues të Lidhjes Demokratike të Kosovës, me justifikimin se ajo ka kërcënuar profesionistët në sistemin e drejtësisë.

Kërkesën në LDK e adresuan në shenjë kundërshtimi për deklaratën e së premtes të ministres Haxhiu, e cila gjatë gjykimit për rastin e gazit lotsjellës në Kuvend i bëri thirrje prokurorit që në mungesë të fakteve, të dorëzohet dhe të tërhiqte nga aktakuza.

Doarsa Kica-Xhelili, deputete e LDK-së, tha se Haxhiu me këtë ka bërë ndërhyrje në sistemin e drejtësisë.

“Nga sot e tutje dhe çdo ditë që ajo vazhdon ta ketë këtë pozitë, ndërhyrja në sistemin e drejtësisë do ta mbajë emrin e kryeministrit. Kosova ka nevojë për prokurorë që nuk dorëzohen, posaçërisht kur kërcënohen nga njerëz të pushtetit. Qofshin Elezë e qofshin Lumezë, prokurorët kërcënimin nuk e kanë për herë të parë, e frikësohem që nuk do të jetë as hera e fundit”, tha Kica-Xhelili.

Ajo e kritikoi ekzekutivin edhe për mospërmbushjen e premtimit të dhënë për qeverisje me ministra pa aktakuza.

“Është premtuar për ministra pa aktakuza. Fatkeqësisht, realiteti po na dëshmon të kundërtën. Sot përveç që pagat e prokurorëve dhe gjyqtarëve janë ulur, po kërkohet dhe punohet për dorëzim të drejtësisë”, deklaroi deputetja e LDK-së.

E në një reagim në Facebook, ministrja Haxhiu adresoi akuza ndaj opozitës.

“Prokuroria dhe gjyqësori do të çlirohen nga ata që i kanë kapur ndër vite, pikërisht këta që sot bëjnë zhurmë pa përmbajtje, e mbajnë konferenca pa asnjë kuptim. Të njëjtit, përmes njerëzve në sistem, jo rrallë herë kanë montuar procese politike të gjykimit ndaj Lëvizjes dhe aktivistëve të saj. Veprimet politike, për të cilat jemi gjykuar, kanë qenë përherë publike, sikurse deklarata ime në cilësinë e së pandehurës në linjë me të drejtat e mia, që njihen me legjislacionin në fuqi”, shkroi Haxhiu në Facebook.

Gjuhën e Haxhiut në gjykim e pati dënuar të premten edhe Këshilli Prokurorial, duke i bërë thirrje që të përmbahet nga deklaratat e vazhdueshme kërcënuese ndaj sistemit të drejtësisë.

Ministrja Haxhiu, bashkë me deputetin Pal Lekaj dhe ish-deputetet Donika Kadaj-Bujupi e Besa Baftiu, akuzohen se më 19 shkurt të vitit 2016 kanë poseduar jashtëligjshëm në Parlament nga një bombol të gazit.