Komisioni për Buxhet e ka përcjellë për në seancë plotësim-ndryshimin e Ligjit për Buxhet, me të cilin do të përcaktohet vlera e koeficientit për paga prej 105 eurosh. Kjo vlerë është kundërshtuar nga deputeti i vetëm opozitar që ishte në mbledhje, Mërgim Lushtaku. Por, sipas ministrit të Financave, Hekuran Murati, kjo vlerë rrit pagat në nivel enorm në sektorin publik
Fatura e pagave në sektorin publik për këtë vit pritet të jetë rreth 105 milionë euro më e madhe sesa vitin e kaluar, apo në total 745 milionë euro nëse vihet në zbatim Ligji i Pagave. Kjo shumë, sipas ministrit të Financave, Hekuran Murati, është më e larta që është shpenzuar për paga ndonjëherë.
Në Komisionin për Buxhet, teksa ka arsyetuar ndryshimet në Ligjin për Buxhet për përfshirjen e vlerës së koeficientit, Murati ka thënë se ligji parasheh edhe shtesa mbi vlerën prej 105 eurosh.
“Nëse e marrim vetëm shtesën e përvojës së punës tani që llogaritet mbi pagën bazë dhe nëse do ta transferoni në koeficient, ta zëmë nëse dikush ka përvojë pune 0 vite, e ka vetëm koeficientin e pastër bazë 105. Por, nëse dikush do të kishte 10 vjet përvojë pune, shtesa e përvojës së punës është 2.5 për qind ose nëse shumëzohet me koeficient do të dilte 107.6 koeficienti”, ka theksuar Murati.
Sipas tij, nëse do të kishte 20 vjet përvojë pune, shtesa për përvojën e punës për 20 vjet është 6.25 për qind apo koeficienti do të përkthehej në 111.6 ose nëse shkojmë deri në 40 vjet përvojë pune, shtesa e përvojës së punës është 16.25 për qind ose nëse do të shumëzohej me koeficientin do të kishim një koeficient 122.
Ndaj sqarimeve të Muratit ka reaguar deputeti i vetëm opozitar që ishte prezent në mbledhjen e Komisionit, Mërgim Lushtaku. Ai ka thënë se shifrat e paraqitura nga Qeveria janë mashtrim. Ka përmendur se si mjekëve dhe mësimdhënësve u janë larguar shtesat për shujta dhe shtesat për kujdestari.
“Administratës së Kuvendit ia keni zvogëluar pagat rreth 40 për qind. Nuk e di a keni këtu inate politike brenda partisë që me goditë sektorin ku punon një udhëheqës i juaji, siç është Glauku, si kryetar i Kuvendit, apo e keni bërë vetëm për t’iu hakmarrë administratës, e kjo është tallje për mendimin tim”, ka thënë Lushtaku.
Ai ka thënë se PDK-ja kundërshton vlerën prej 105 eurosh dhe do të kërkojë që mes dy leximesh ajo të rritet të paktën në 125 euro.
Por, sipas ministrit, ligji parasheh shtesa transitore dhe se këtë vit nuk do të ketë ulje për asnjë kategori.
Ndërsa sa i përket kujdestarisë së mjekëve, ai ka thënë se ato janë të përfshira në ligj dhe se duhet që të nxirren akte tjera nënligjore pasi, siç ka thënë, në të kaluarën ka pasur mjek që ka marrë nga kujdestaria shumë më të madhe sesa paga.
Deputeti i Vetëvendosjes, Visar Korenica, ngriti si shqetësim hendekun që po krijohet mes sektorit privat dhe atij publik.
“Nuk po krijojmë konkurrueshmëri në treg. Është një komoditet dhe këtë po e shohim në konkurse kur në publik aplikojnë rreth 200 persona për një pozitë, ndërsa në sektorin privat po shohim njerëz të gatshëm për të lëshuar vendin e punës për shumë arsye dhe një ndër to është pasiguria në punë dhe inspektimet e ulëta. Të gjitha këto krijojnë hendek të jashtëzakonshëm dhe që qytetarët nuk po mund të përballojnë inflacionin”, ka thënë ai.
Me këtë është pajtuar edhe ministri Murati, i cili shtoi se nëse vlera e koeficientit do të bëhej 130, siç po kërkon opozita, atëherë mesatarja e pagës në sektorin publik do të ishte 900 euro apo dyfish më shumë se sektori privat. Aktualisht paga mesatare në sektorin publik është 620 euro ndërsa në sektorin privat 490 euro.
Pas diskutimeve, me 6 vota për, pa pjesëmarrjen në votim të deputetit të PDK-së, Mërgim Lushtaku, Komisioni e përcolli për në seancë plotësim-ndryshimin për Ligjin për Buxhetin. Këto ndryshime caktojnë vlerën e koeficientit të Ligjit për Paga, i cili do të hyjë në fuqi më 5 shkurt.
Kundër vlerës së koeficientit janë shprehur sindikata të sektorit privat, të cilat nuk janë ndarë të kënaqura.
Ndërsa ulja e pagave për prokurorë, gjyqtarë, profesorë dhe zyrtarë të tjerë publikë ka nxitur reagime të enjten. Madje është kërkuar nga Avokati i Popullit që ligji të dërgohet në Kushtetuese.
Me caktimin e vlerës së koeficientit prej 105 eurosh, të mërkurën janë kuptuar pagat e secilit punonjës të sektorit publik. Në sistemin gjyqësor e prokurorial, me ligjin e ri do të ketë ulje të pagave deri në afro 1.700 euro.
Kësisoj Kryeprokurori i Shtetit dhe kryetari i Gjykatës Supreme nga 3 mijë e 450 euro sa marrin pagë aktualisht, me ligjin për pagat ajo pritet të jetë 1 mijë e 785 euro apo 1 mijë e 665 euro më pak.
Prokurorët specialë do të paguhen 1 mijë e 373 euro më pak. Nga rreth 3 mijë euro pagë sa marrin aktualisht, me koeficientin që kanë, paga e tyre pritet të jetë 1 mijë e 627 euro.
Zbritje në pagë për 740 euro kanë edhe prokurorët e gjyqtarët në gjykata themelore. Pagat e tyre priten të jenë 1.260 euro nga 2 mijë sa i kanë aktualisht.
Kryesuesi i Këshillit Gjyqësor, Albert Zogaj, ka thënë se vendimi i Qeverisë është ndërhyrje e drejtpërdrejtë në pavarësinë e sistemit gjyqësor dhe se kjo është dekurajuese.
“Këshilli Gjyqësor dhe asambleja e kryetarëve i kërkojnë Avokatit të Popullit që t`i ushtrojë përgjegjësitë kushtetuese dhe ligjore. Në këtë rast ta dërgojë Ligjin për Pagat dhe vendimin e Qeverisë në Gjykatën Kushtetuese”, ka thënë ai një ditë më parë.
Me uljen e pagave, sipas Këshillit Prokurorial, është cenuar funksionimi i sistemit.
Pagat për afro 100 euro u janë ulur edhe profesorëve të nivelit universitar.