Katër ditë para se Ligji për Pagave të hyjë në fuqi, Qeveria konfirmoi se vlera e koeficientit do të jetë 105 euro.
Kjo vlerë, e cila është përcaktuar përbrenda Ligjit për Buxhet, e mori miratimin në mbledhjen e së mërkurës të Qeverisë. E kryeministri Albin Kurti paralajmëroi se në vitin e 2024 vlera e koeficientit do të rritet edhe për 5 euro.
“E reja e këtij sistemi, përveç vlerave që ka sjellë në klasifikimin e kategorive te zyrtarët publikë, është se për çdo vit do të vlerësohen mundësitë buxhetore dhe do të bëhet ndryshimi i koeficienteve, sipas atyre mundësive. Pra, pas kësaj nuk do të ketë stagnim të pagave të zyrtarëve pafundësisht. Ato do të lëvizin sipas rritjes apo punës dhe rezultateve që kemi të gjithë bashkë në rritjen ekonomike të vendit”, ka thënë Kurti.
Vlerën e caktuar të koeficientit e arsyetuan ministri i Financave, Hekuran Murati, e zëvendësministri i Punëve të Brendshme, Bardhyl Dobra.
Ministri Murati tha se caktimi i vlerës prej 105 eurosh është bërë në përputhje me mundësitë që i ofron buxheti i ndarë për pagat.
“Shifra dhe vlera të koeficientit me të qëlluar dhe me tahmin mundet të vijë gjithkush. Ne jemi shtet, jemi Qeveri dhe vlera dhe shifrat duhet të bëhen në bazë të llogarive të sakta dhe hapësirave e kufijve ligjorë që i kemi”, ka thënë Murati.
E zëvendësministri i Punëve të Brendshme, Bardhyl Dobra theksoi se me punën e bërë janë ndaluar keqpërdorimet që ishin bërë ndër vite.
“Përveç shumë emërimeve për një pozitë në gjuhën shqipe, kemi pasur terma të ndryshëm që janë përdorur për pozitën e njëjtë, kemi terma në gjuhën angleze, kemi hasur në pozitën e famshme që është zyrtari për fotokopje, kemi juristë të emëruar si drejtor të QKMF-ve”.
Caktimi i vlerës së koeficientit ndikoi në ndryshimin e pagave të secilit zyrtar publik.
Bazuar në këtë vlerë, presidentja Vjosa Osmani, që e ka koeficientin më të lartë, do të vazhdojë ta ketë pagën më të madhe në Kosovë, ani se për dallim nga viti i shkuar, sivjet do të marrë 853 euro më pak. Pas presidentes, pagën më të lartë do ta ketë kryetarja e Gjykatës Kushtetuese, e cila do të marrë 1 mijë e 837 euro e gjysmë, e 762 euro më pak se vitin e kaluar.
Kryeministri e kryetari i Kuvendit do të marrin nga 1 mijë e 785 euro, me një rritje prej rreth 480 eurosh me koeficientin e caktuar.
Paga më të larta për rreth 500 eurosh do të marrin ministrat e Qeverisë, për t’u barazuar me ato të deputetëve.
Me koeficientin e caktuar, pagat rriten edhe për punëtorët e shëndetësisë, për ata të arsimit, të policisë, si dhe pjesëtarët e FSK-së.
Ulje në paga do të ketë ndërkaq për punonjësit e sektorit të drejtësisë. Kryeprokurorit të shtetit, nga 3 mijë e 450 euro, paga do t’i bjerë në 1785 euro, 1665 euro më pak. Po kaq ulje do të ketë edhe kryetari i Gjykatës Supreme. E nga 740 euro më pak se vitin e shkuar do të marrin prokurorët dhe gjyqtarët në gjykatat themelore.
Këto ndryshime të bëra në Ligjin për Buxhetin lidhur me vlerën e koeficientit duhet që ta marrin aprovimin e deputetëve të Kuvendit.
© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.