LAJMET E MBRËMJES

Rritet nga 40 në 50 centë bileta e rregullt e transportit publik në kryeqytet

Komuna e Prishtinës ka marrë vendim për riorganizimin e planit të tarifimit të qytetarëve për përdorimin e transportit publik. Sipas saj, kjo është bërë për t’i inkurajuar qytetarët që të përdorin autobusin, por kanë rritur çmimin e biletës së rregullt. Nga opozita kanë thënë që tani nuk është koha e duhur për rritje të çmimit të biletës.

Qytetarët që përdorin për transport autobusët e trafikut urban prej të martës biletën e rregullt do ta paguajnë 10 cent më shtrenjtë.

Për këtë Komuna e Prishtinës ka njoftuar qytetarët për ndryshimin e çmimit të biletave.

Vendimi është marrë, siç thuhet, për përmirësimin e shërbimit të transportit publik dhe inkurajimin e qytetarëve për përdorimin e autobusëve.

Çmimi i biletës së rregullt është rritur, por do të ketë lirim për ata që marrin bileta ditore e mujore, të cilat nuk kanë qenë opsion deri tani.

Për t’iu përshtatur nevojave të të gjithë qytetarëve, kemi përfshirë në planin tarifor biletat javore dhe ditore shumëpërdorimëshe: Bileta ditore përfshin udhëtime vajtje-ardhje pa limit gjatë 24 orëve, me çmimin 0.80€; Bileta javore përfshin udhëtime vajtje-ardhje pa limit në të gjitha ditët e javës, me çmimin 4.00 €; Një biletë e rregullt autobusi, e cila mund të përdoret vetëm për një drejtim, do ta ketë çmimin 0.50 €”, ka bërë të ditur Komuna e Prishtinës.


Ky vendim qytetarët e Prishtinës nuk i ka zënë në befasi. Sipas tyre, rritja e çmimeve po bëhet më e ndjeshme çdo ditë e më shumë.

“Për mua është në rregull, të gjitha çmimet janë rritur edhe 10 centë më shumë nuk është ndonjë diferencë shumë e madhe. Sipas mendimit tim”, ka theksuar një qytetare.

“Nuk po më duket që është shtrenjtuar shumë 10 centë, por ku t’i marrin populli paratë, në punë asnjë, edhe ata që janë në punë nuk kanë rroga të larta. Qeveria kur nuk do të punojë, çfarë të bëjmë”, ka thënë një qytetar.

Sami Boroci, asamblist i AKR-së në Kuvendin Komunal të Prishtinës, ka thënë që kjo nuk është koha e duhur për rritje të çmimeve.

“ Natyrisht jam kundër rritjes së çmimit të biletës për transportin publik, sidomos kur jemi në këtë kohë ku ka rritje të çmimeve të pakontrolluara është krijuar njëfarë zinxhiri ku prek jetën e secilit qytetar. Në këtë fazë diçka që është publike nuk duhet ta lëmë të rritet çmimi. Aq më tepër, kur kjo rritje vjen nga një koalicion që ka premtuar transport publik pa pagesë”, ka deklaruar Borovci.

Sipas njoftimit të Komunës së Prishtinës, ky vendim do të hyjë në fuqi nga data 31 janar.
Kryetari Përparim Rama kishte premtuar që qytetarët do të inkurajohen të përdorin autobusin dhe format alternative të udhëtimit duke krijuar kushtet e nevojshme dhe kufizimin e hapësirave për vetura.