Me gjithë premtimin për ta nisur faturimin e rrymës së shpenzuar në veriun e Kosovës, Qeveria e justifikoi mosjetësimin e këtij zotimi me vazhdimin e diskutimeve për gjetjen e një zgjidhjeje. Në mbledhjen e mbajtur të mërkurën, Qeveria miratoi edhe vendimin për vazhdimin e masave emergjente për energjinë elektrike, ndërkaq ndau mjete edhe për botimin e librit të ish-ambasadorit, William Walker, mbi Masakrën e Reçakut
Me vazhdimin e diskutimeve për gjetjen e një zgjidhjeje, ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, e arsyetoi vendimin për të vazhduar pagesën e rrymës në veriun e Kosovës, të banuar kryesisht me serbë.
Rizvanolli e kryeministri Albin Kurti patën bërë zotimin që mbulimi i shpenzimeve për rrymën e shpenzuar në katër komunat veriore se nuk do të bëhej gjatë këtij dimri.
Por në një konferencë të mbajtur pas mbledhjes së Qeverisë, Rizvanolli tha se po kërkohen mundësi për zgjidhjen e çështjes së faturimit.
“Sigurisht se kjo nuk është zgjidhje e as nuk është e drejtë, pavarësisht se ne kemi përgjegjësinë dhe KOSTT-i ka përgjegjësinë për tërë territorin e Kosovës, një situatë e tillë nuk është zgjidhje dhe nuk mund të vazhdojë pafundësisht. Megjithatë, jemi duke shikuar të gjitha mundësitë për të gjetur zgjidhje që mundësojnë faturimin dhe fillimin e pagesës sa më shpejt që është e mundur nga qytetarët e asaj pjese”, ka thënë Rizvanolli.
Ministrja Rizvanolli propozoi, gjithashtu, vazhdimin e masave emergjente për furnizim me energji. Ani se tha që muajt në vijim janë kritikë, ajo sqaroi se nuk pritet që të ketë reduktime dhe as shtrenjtim të tarifave të rrymës.
“Sot në mbledhjen e Qeverisë vendosëm masat emergjente për furnizim me energji, duke marrë parasysh se situata me furnizim me energji elektrike pritet që të përkeqësohet gjatë javëve në vijim, për shkak të uljes së temperaturave në gjithë Evropën. Kështu që po hyjmë në javë dhe muaj kritikë të dimrit. Kjo nuk do të thotë që do të kemi reduktime të energjisë, por që çmimet e energjisë pritet të rriten në tregjet evropiane”, ka thënë ajo.
Krahas masave për energjinë, Qeveria në mbledhje ndau 70 mijë euro për promovimin e librit të ambasadorit amerikan, William Walker, mbi Masakrën e Reçakut.
“Libri do të përshkruajë ngjarjet e ndërlidhura me Masakrën e Reçakut, të paraqitura nga këndvështrimi i ambasadorit Walker, të treguara nga perspektiva e tij personale, si shef i misionit verifikues të OSBE-së”, ka thënë kryeministri Kurti.
Por rreth ndarjes së mjeteve për librin, kabineti qeverisës nuk e pati edhe mbështetjen e ministrit për Kthim dhe Komunitete, Nenad Rashiq.
Mes vendimeve të marra të mërkurën, Qeveria ndau me mijëra euro për dy fondacione - atë amerikano-kosovar për edukim dhe për promovim të vendit, ndërsa emëroi edhe Bordin e drejtorëve të kompanisë së ujësjellësit në Pejë.