Kryeministri Albin Kurti u lavdërua rreth rritjes së buxhetit për komunat për 100 milionë euro më shumë se në vitin e kaluar, teksa në takimin rreth treorësh me kryetarët e Komunave u ballafaqua me kritika për trajtim jo të barabartë me buxhetin për 2023-n.
Në takimin e së martës, Kurti kërkoi nga kryetarët e komunave shpenzim transparent të buxhetit dhe rritje të cilësisë së shërbimeve ndaj qytetarëve.
“Për nivelin komunal ka një rritje të buxhetit prej 100 milionë eurove, krahasuar me vitin paraprak. Kjo duhet të reflektojë në rritjen e cilësisë së shërbimeve komunale karshi qytetarëve tanë, mirëqenies së tyre, edukimin, shëndetësisë, sportit, rinisë e kulturës dhe zhvillimit socioekonomik”, tha Kurti.
Kurti ka theksuar gjithashtu se për vitin 2023 janë shtuar 240 pozita të reja për inspektorët dhe pas këtij fjalimi fillestar, takimi u mbyll për media.
Tek pas tri orësh, kryetari i Asociacionit të Komunave, Agim Aliu, njëherësh edhe kryetar i Komunës së Ferizajt, ka thënë se nga Kurti është kërkuar që Qeveria të bëjë ndarje të barabartë buxhetore, bazuar në kontributet e komunave.
“Kemi ngritur shqetësimet që ne kemi pasur, gjithmonë është kërkesë e kryetarëve të komunave të ketë buxhet më shumë, por më shumë se të ketë buxhet është që të ketë një barazi, një ndarje të barabartë në bazë të asaj që paraqesin Komunat e Republikës së Kosovës. Sigurisht se i kemi dhënë vërejtjet si kryetarë komunave, por në të përgjithshmen kemi kërkuar gjithnjë më shumë për disa problematika të veçanta që shpesh ne edhe kur marrim para apo kur kemi projekte nuk kemi si të investojmë, pra bëhet fjalë për pronat e AKP-së”, tha Aliu.
Në mungesë të pronave komunale, ai ka thënë se shumë projekte mbeten edhe të parealizuara.
Ky ishte takimi i tretë që kryeministri Kurti ka mbajtur me kryetarë të komunave, teksa takime të tjera janë paralajmëruar që të zhvillohen edhe në të ardhmen.