LAJMET E MBRËMJES

Kurti takon përfaqësuesit e KFOR-it dhe EULEX-it, konstatojnë se s’duhet të ketë barrikada

Nuk është kumtuar ndonjë strategji për zhbllokimin e rrugëve të veriut, as pas takimit që të hënën kryeministri Albin Kurti e realizoi me komandantin e KFOR-it, gjeneralmajor Angelo Michele Ristuccia, dhe me shefin e EULEX-it, Lars Gunnar Wigemark.

Pas takimit që u mbajt në Qeveri nuk pati prononcime për media. Por, në një njoftim të Ekzekutivit theksohet një konstatim i përbashkët.

“Në takimin e përbashkët me zëvendëskryeministrin Besnik Bislimi dhe ministrin e Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, u bisedua për bashkëpunimin e afërt ndërmjet Qeverisë së Republikës së Kosovës, forcave paqeruajtëse të NATO-s në Kosovë (KFOR) dhe misionit EULEX, përbrenda mandateve që kanë. U fol edhe lidhur me veprimet e strukturave kriminale në veri të Republikës së Kosovës, që cenojnë rëndë sigurinë në vend. Konstatim i përbashkët nga ky takim është se liria e lëvizjes duhet të rivendoset dhe se nuk duhet të ketë barrikada në asnjë rrugë”, thuhet nga Zyra e Kryeministrit.

Një natë më parë, pranë patrullës së KFOR-it në Zubin-Potok, është qëlluar me armë zjarri. E, në këtë mision të NATO-s bënë të ditur se po punohet në zbardhjen e rastit.

KFOR-i ka përsëritur thirrjen që tensionet në veri të zbuten nëpërmjet dialogut.

“KFOR-i po e heton një incident indirekt zjarri më 25 dhjetor në afërsi të patrullës së KFOR-it të NATO-s. Incidenti u shkaktua nga persona të panjohur të armatosur në zonën e Zubin-Potokut. Nuk ka të lënduar apo dëme materiale dhe po punohet për zbardhjen e të gjitha fakteve. Duke qenë se janë planifikuar takime ndërmjet të gjitha palëve, është e rëndësishme që të gjithë të përfshirët të shmangin çdo retorikë apo veprim që mund të shkaktojë tensione dhe të përshkallëzojë situatën. Komandanti i misionit të KFOR-it të udhëhequr nga NATO-ja vazhdon të mbështesë dialogun për të gjetur një marrëveshje për të zbutur tensionet në veri të Kosovës. Ai mbetet në kontakt të ngushtë me të gjithë ata që janë përfshirë në këtë proces. Ne mbetemi vigjilentë dhe plotësisht të aftë për të përmbushur mandatin tonë sipas Rezolutës 1244 të vitit 1999 për të gjitha komunitetet në Kosovë. Zgjidhjet duhet të kërkohen përmes dialogut”, thuhet nga KFOR-i.

Edhe gjatë ditës ka pasur incidente në veri. Persona të maskuar sulmuan me gurë një ekip të Klan Kosovës, gjatë të cilit u lënduan gazetarja dhe shoferi.

Zyra e BE-së në Prishtinë ka dënuar sulmin dhe ka bërë thirrje që gazetarët të mos pengohen në punë.

Edhe Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës bëri thirrje të këtillë.

“Sulmet e vazhdueshme përbëjnë kërcënim serioz për sigurinë e gazetarëve dhe pengojnë raportimin për zhvillimet në veri. Andaj, AGK-ja kërkon nga KFOR-i dhe EULEX-i që të luajnë rol shtesë për të garantuar sigurinë fizike të gazetarëve, që vazhdojnë të jenë cak i sulmeve të organizuara nga grupe personash të maskuar”, thuhet nga AGK-ja.

Të tjera incidente nuk janë shënuar gjatë ditës në Mitrovicën e Veriut dhe në fshatrat drejt kufirit me Serbinë.

Në rrugët drejt pikave kufitare me Serbinë, që nga 10 dhjetori, janë vendosur rreth 11 bllokada.