LAJMET E MBRËMJES

Këshilli i Ambasadorëve Shqiptarë: Gjuha e Vuçiqit si e Millosheviqit

Gjuhën e presidentit serb ndaj kryeministrit të Kosovës dhe bashkëpunëtorëve të tij nga komuniteti serb që nuk pajtohen me politikën e Serbisë, Këshilli i Ambasadorëve Shqiptarë e ka kualifikuar si denigruese dhe konfliktnxitëse. Vuçiqi reagoi kësisoj pasi që Kurti emëroi Rashiqin ministër të tij. E pikërisht për këtë vendim presidenti serb ka kërcënuar se nuk do të marrë pjesë në Samitin e BE-së që do të mbahet në Tiranë, në të cilin pjesëmarrjen e ka konfirmuar presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani

Gjuha fyese e presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq, e përdorur ndaj kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, pas emërimit të Nenad Rashiqit si ministër për Komunitete dhe Kthim, është kritikuar të shtunën nga Këshilli i Ambasadorëve Shqiptarë. Nëpërmjet një letre të përbashkët, ata e kanë dënuar deklaratën e Vuçiqit, nëpërmjet së cilës ai e quajti Kurtin “llum terrorist”, ndërsa Rashiqin “llum serb nga fundi i koshit të mbeturinave”.

Gjuhën e presidentit serb ndaj kryeministrit të Kosovës dhe bashkëpunëtorëve të tij nga komuniteti serb që nuk pajtohen me politikën e Serbisë, në Këshill e kanë kualifikuar si denigruese dhe konfliktnxitëse.

“Deklaratat e tilla që e kujtojnë fjalorin e urrejtjes dhe luftënxitës të regjimit të Millosheviqit ndaj shqiptarëve i dëmtojnë përpjekjet e komunitetit ndërkombëtar për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë dhe rrjedhimisht edhe paqen e sigurinë në rajon”, është thënë përmjet letrës së tyre.

Tutje në letër thuhet se Këshilli i Ambasadorëve Shqiptarë mbështet veprimet e Qeverisë së Kosovës për stabilizimin e situatës dhe përkushtimin e saj për një marrëveshje gjithëpërfshirëse të normalizimit të marrëdhënieve me Serbinë, me ndihmë të Bashkimit Evropian dhe përkrahje të SHBA-së.

“Këshilli i Ambasadorëve Shqiptarë i bën thirrje faktorit ndërkombëtar perëndimor që t’i shtojë përpjekjet për arritjen sa më të shpejtë të normalizimit të marrëdhënieve në mes Kosovës dhe Serbisë, si dhe të mos tolerojë veprimet destabilizuese të Vuçiqit, i cili tanimë e bëri të qartë se nuk ka hequr dorë nga orientimi prorus, me emërimin në krye të shërbimit për inteligjencë të Serbisë (BIA) të shovinistit dhe antishqiptarit famëkeq Aleksandër Vulin”, shkruhet në letër.

Shkak i deklaratës së Vuçiqit ishte bërë vendimi i Qeverisë për emërimin e Rashiqit në postin që më herët e mbante Goran Rakiqi i Listës Serbe. Në kundërshtim të emërimit, Vuçiqi ka paralajmëruar edhe se delegacioni i Serbisë nuk do të marrë pjesë në Samitin e Bashkimit Evropian dhe të Ballkanit Perëndimor, që do të mbahet më 6 dhjetor në Tiranë.

E ftesën zyrtare të presidentit të Këshillit Evropian, Charles Michel, për pjesëmarrje në këtë Samit, presidentes Vjosa Osmani të shtunën ia ka dorëzuar ambasadori i BE-së në Kosovë, Tomas Sznunyog.

“Në takim u vlerësua fakti që për herë të parë, ky Samit do të mbahet pikërisht në Ballkanin Perëndimor, duke konfirmuar gatishmërinë e vendeve të BE-së për një angazhim më të madh drejt bashkëpunimit dhe partneritetit me vendet e rajonit”, është thënë në njoftimin e zyrës së presidentes së Kosovës.

Samiti i javës së ardhshme do të jetë i pari i këtillë që do të mbahet në një vend të rajonit që nuk është anëtar i BE-së. Gjatë tij, udhëheqës të BE-së pritet që ta bëjnë zotimin për mbështetje dhe për përshpejtimin e procesit të zgjerimit të bllokut me përfaqësues të vendeve të Ballkanit Perëndimor.

Këshilli i Ambasadorëve Shqiptarë është një organizatë e pavarur, jo fitimprurëse, themeluar në prill të vitit 2018 nga një grup ish-ambasadorësh, sipas modelit që kanë organizatat e tilla në vendet demokratike. Në përputhje me ligjin shqiptar, ky Këshill është shoqatë e hapur për anëtarësimin e të gjithë atyre që kanë dëshirë dhe plotësojnë kushtet e parashikuara në statut. Anëtarët e Këshillit të Ambasadorëve duhet të kenë mbajtur të paktën për një mandat postin e Ambasadorit të Republikës së Shqipërisë ose të kenë qenë diplomatë të lartë, me funksione drejtuese në Ministrinë e Punëve të Jashtme për më shumë se pesë vjet. Të drejtën për t’u antarësuar në këtë Këshill e kanë edhe ish-ministrat e jashtëm.