Mbajtjen e takimit midis kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, gjatë të hënës KOHËS ia kanë konfirmuar burimet përbrenda Bashkimit Evropian. Takimi do të zhvillohet në ditën kur është planifikuar që të nisë zbatimi i shqiptimit të gjobave për ngasësit e veturave me targat ilegale të lëshuara nga Serbia
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, do të takohen të hënën në Bruksel në kuadër të dialogut të lehtësuar nga Bashkimi Evropian, ka mësuar KOHA nga burimet në BE.
Dita e zhvillimit të bisedimeve në nivel të lartë është konfirmuar pasi që BE-ja u ka përcjellë ftesa Kosovës e Serbisë për një takim, në cilin synim do të jenë gjetja e një zgjidhjeje për mosmarrëveshjet rreth targave ilegale të lëshuara nga Serbia, para se më 21 nëntor të nisë afati i përcaktuar nga Qeveria e Kosovës për shqiptimin e gjobave.
Dritëro Arifi, njohës i procesit të dialogut dhe profesor i marrëdhënieve ndërkombëtare, ka shprehur bindjen se në takim Kosova do të zmbrapset nga vendimi, teksa ka vlerësuar se në diskutime ajo është në disavantazh karshi Serbisë.
“Tash jemi para aktit të kryer. Normalisht që duhet të shtyhet, sepse nuk kemi alternativë tjetër. Alternativa e vetme është që të vazhdohet me kokëfortësi dhe të imponohet vendimi me dhunë. Ajo që e dimë është se rezultati i tillë do t’i konvenonte vetëm njërës palë, jo Republikës së Kosovës. Andaj ky vendim është i detyruar. Qeveria e Kosovës është e detyruar që ta shtyjë vendimin që të mos kemi dhunë në veri”, ka deklaruar ai.
Arifi ka theksuar po ashtu se çështja e targave dhe rreziku nga përshkallëzimi i mundshëm i dhunës në veri të Kosovës ka zhvendosur fokusin nga dialogu për arritjen e një marrëveshjeje përfundimtare me Serbinë.
“Në vend që të fokusohemi në dialogun politik dhe për arritjen e një marrëveshjeje finale, Qeveria e Kosovës kthehet 10 hapa mbrapa dhe bisedon për çështje teknike”, ka theksuar ai.
Gabriel Escobar, emisar amerikan për Ballkanin Perëndimor, ka shprehur bindjen se në takimin e së hënës do të gjendet një zgjidhje për targat. Ai, në një intervistë për Tanjugun, u ka bërë thirrje Kosovës dhe Serbisë që të tregojnë fleksibilitet maksimal dhe të arrijnë një marrëveshje para 21 nëntorit të nisjes së shqiptimit të gjobave.
“Pastaj palët duhet t’i dyfishojnë obligimet e tyre karshi dialogut, duke e përfshirë zbatimin e marrëveshjeve tashmë të nënshkruara, që nënkupton fillimin e negociatave për themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe”, ka thënë Escobar.
Intensifikimi i përpjekjeve ndërkombëtare për gjetjen e një zgjidhjeje rreth targave ka pasuar paralajmërimet për rrezikun e përshkallëzimit të situatës në veri.
Shefja e grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila, ka theksuar se përshkallëzimi i situatës nuk është në interes të askujt.
“Cilët do të jenë hapat e radhës mbetet të shihet, pasi që është një dinamikë dhe intensitet i shtuar. Megjithatë, kjo çka ka ndodhur aktualisht nuk mund të nxjerrë nga binarët një proces, i cili pashmangshëm duhet të përmbyllet me një marrëveshje finale dhe me normalizim të raporteve që do të vijnë përmes njohjes reciproke”, ka thënë ajo, në një intervistë për KosovaPressin.
Kryeministri Kurti është shprehur optimist të premten për rezultatin nga takimi me Vuçiqin, teksa është zotuar se Qeveria po angazhohet në mbrojtjen e ligjshmërisë dhe kushtetutshmërisë, si dhe të paqes e sigurisë.
Qeveria i ka refuzuar kërkesat e paraqitura nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe nga BE-ja për shtyrjen për 10 muaj të zbatimit të vendimit për konvertimin e targave nga ato ilegale në RKS.
Në vend të shtyrjes, Ekzekutivi ka vendosur që zbatimin ta ndajë në tri faza, nisur prej shqiptimit të fletëqortimeve për ngasësit e veturave me targa ilegale. Nga 21 nëntori është paraparë të nisë faza e dytë e shqiptimit të gjobave prej 150 eurosh për qytetarët që ngasin vetura me targa që nuk janë të konvertuara në RKS. Kjo fazë është përcaktuar që të zgjasë për tre muaj e më pas parashihet që të vihen targat provuese për një periudhë tremujore. Bazuar në vendimin e Qeverisë, ndalimi i tërësishëm i qarkullimit të veturave me targa të paligjshme do të nisë nga 21 prilli i vitit të ardhshëm.