LAJMET E MBRËMJES

Kuvendi të enjten shqyrton buxhetin, kritikohet mospërfshirja e kostos së Ligjit për paga

Projektbuxheti prej 3.2 miliardë eurosh do të jetë të enjten në diskutim para deputetëve të Kuvendit të Kosovës. Vitin e ardhshëm të hyrat buxhetore planifikohen të jenë 2 miliardë e 884 milionë euro, apo 18.7 për qind më shumë sesa këtë vit.

Por, mospërfshirja e kostos buxhetore të Ligjit për paga në të është kritikuar nga opozita.

Shefi i Grupit parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri, në deklarimin e tij pas mbledhjes së Kryesisë ka thënë se ky buxhet është pa vizion dhe nuk reflekton gjendjen e krijuar në vend.

“Argumenti i parë është deklarata skandaloze e ministrit të Financave. Ai i thotë sektorit privat dilni dhe rritni rrogat e punëtorëve tuaj se ju ka rritë fitimi, derisa në këtë buxhet, në këtë sesion nuk e ka sjellë Ligjin e pagave që e ka në dorë. Ministri Hekuran Murati e ka në dorë rritjen e pagave për sektorin publik dhe buxhetin për këtë punë as nuk e ka sjellë në linjë buxhetore për këtë ligj, as ligjin, e mbi të gjitha koeficientin”, tha Tahiri.

Tahiri i është referuar deklaratës së ministrit Murati dhënë ditë më parë, ku tha se bashkë me rritjen e çmimeve është rritur edhe fitimi i bizneseve dhe se është koha që këtë fitim ta ndajnë me punëtorët.

Kritika pati edhe ndaj kryeministrit Albin Kurti, i cili në Forumin Ekonomik të Vjenës deklaroi se Kosova ka shënuar rritjen më të lartë ekonomike që nga paslufta.

Sipas shefit të Grupit parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri, Kosova ka rritjen më të madhe të çmimeve, por jo të mirëqenies.

“Rritja e çmimeve ua pamundëson qytetarëve që me të ardhurat mujore të furnizohen me ushqime. Do të donim që të ishte e vërtetë ajo që ka deklaruar Kurti që të kishte rritje ekonomike të tillë, që do të afektonte mirëqenien e qytetarëve, por nuk e kemi parë rritjen ekonomike, por rritjen e çmimeve”, tha Abelard Tahiri.

PDK-ja ka kërkuar që të ketë debat për gjendjen në sektorin e shëndetësisë pas dorëheqjes së ministrit Rifat Latifi. Po ashtu, ka kërkuar që javën e ardhme të dërgohen në Kuvend emrat për gjyqtarë të Gjykatës Kushtetuese.

E interpelanca me kryeministrin Albin Kurti, e ftuar nga AAK-ja për dialogun, nuk është caktuar ende, pasi nuk ka një përgjigje nga shefi i ekzekutivit.