LAJMET E MBRËMJES

Osmani e Kurti shpalosin qëndrimet për veriun e dialogun në takim me Macronin

Situata e krijuar në veri dhe dialogu midis Kosovës e Serbisë kanë qenë temat kryesore që janë trajtuar të enjten në Paris gjatë takimit të presidentes Vjosa Osmani dhe kryeministrit Albin Kurti me presidentin francez, Emmanuel Macron, në prag të Forumit të Paqes që do të zhvillohet të premten në kryeqytetin francez.

Presidentja Osmani, nëpërmjet një postimi në Facebook, ka njoftuar se në takim me presidentin francez është diskutuar mbi partneritetin midis të dy shteteve, dinamizimin e dialogut me Serbinë, si dhe për zhvillimet e fundit në veri, të nxitura nga dorëheqjet e serbëve të veriut prej institucioneve të Kosovës.

“Shprehëm përkushtimin e plotë të institucioneve të Kosovës për procesin e dialogut, të bazuar në ruajtjen e sovranitetit, rendit kushtetues, integritetit territorial dhe funksionalitetit të Kosovës, të cilat janë të paprekshme”, ka shkruar Osmani.

Në takim, ajo ka shkruar të jetë diskutuar edhe për veprimet destabilizuese të Serbisë, nëpërmjet fuqizimit të strukturave ilegale të saj në Kosovë, frikësimit të qytetarëve serbë dhe nxitjes së grupeve kriminale për cenimin e rendit dhe ligjin në veri.

“Kosova mbetet e angazhuar, në koordinim me partnerët ndërkombëtarë, për paqe, stabilitet dhe për të garantuar një mjedis të sigurt për të gjithë qytetarët e vendit. Ndërkaq, presidenti Macron potencoi përkrahjen e tij për paqe, siguri dhe stabilitet në Kosovë dhe në rajon”, është thënë në njoftimin e presidentes.

Temë diskutimi në takimit, sipas Osmanit, ishte njashtu edhe çështja e liberalizimit të vizave për Kosovën. Në këtë rrafsh, Osmani ka shkruar se është ritheksuar rëndësia e përfundimit të procesit gjatë mandatit të presidencës së Çekisë në Këshillin e Bashkimit Evropian.

“Kërkuam vazhdimin e mbështetjes së Francës për integrimin euroatlantik të Kosovës dhe anëtarësimin në organizata të tjera ndërkombëtare”, ka shkruar ajo.

Kryeministri Kurti, në një njoftim të publikuar në Facebook, gjatë orëve të mbrëmjes së të enjtes, ka theksuar se në takim është biseduar për thellimin e marrëdhënieve bilaterale midis Kosovës e Francës, si dhe për dialogun për marrëveshje midis Kosovës e Serbisë dhe për zhvillimet në veri.

“Potencuam se Kosova ka propozuar kornizën e përgjithshme të marrëveshjes, ndërsa propozimi franko-gjerman shërben si bazë e mirë për diskutime të mëtejshme. Theksuam se Republika e Kosovës është partnere e besueshme e Republikës së Francës dhe aleatëve të tjerë euroatlantik”, ka shkruar udhëheqësi i Qeverisë.

Kurti ka shprehur gjithashtu falënderimin për presidentin Macron rreth angazhimit të Francës, në bashkëpunim me Gjermaninë, “për dinamizimin e procesit të dialogut”.

“Dhe ritheksuam përkushtimin e plotë të Republikës së Kosovës në këtë proces, të bazuar në ruajtjen e rendit kushtetues, sovranitetit, integritetit territorial e marrëdhënieve të mira fqinjësore”, ka shkruar Kurti në postim.

Presidenti francez të enjten ka pasur një takim edhe me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, mbi gjendjen aktuale në Kosovë. Pas takimit, Vuiçiq ka shprehur në mediat serbe bindjen se nuk do të ketë takim edhe me kryeministrin Kurti, i cili ishte paralajmëruar se mund të ndodhte në Paris.

Në media, Vuçiqi ka theksuar se marrëveshja për letërnjoftime, e arritur disa muaj më parë në kuadër të dialogut të lehtësuar nga Bashkimi Evropian, ishte kompromisi që çështja e konvertimit të targave ilegale të lëshuara nga Serbia në ato RKS të mos shtrohej si problem.

“Në fund të gushtit kam thënë se do të kemi problem nga shtatori – letërnjoftimet. Kam thënë se do të propozojë diçka që nuk është e lehtë për ne, porse është e pamundur që dikush ta refuzojë. Më thanë atëherë se ne duhet ta bëjmë këtë dhe se puna e tyre do të jetë që ta bindin Kurtin që rreth targave të veprojë ndryshe, por e patë se si shkoi - asgjë nuk u bë... Tani është shumë më e vështirë. Si t'u them serbëve të kthehen në institucione. Nuk ka asgjë nga kjo derisa të plotësohen kushtet”, ka thënë Vuçiqi.

Ai ka theksuar gjithashtu se presidentit Macroni ia ka treguar edhe kushtet që i ka Serbia për kthimin e serbëve të larguar nga institucionet e Kosovës.

“I kemi thënë kushtet tona për kthim në institucione, por nuk e dimë se çfarë do të ndodhë më tutje. Ne kemi pasur një takim të mirë, për shkak të marrëdhënieve tona bilaterale dhe të tjera. Sa i përket Prishtinës, nuk jam optimist. Kam sjellë sot dokumentin për targat dhe ia tregova Macronit. Ata nuk duan ta japin këtë, pasi që e kanë mënjanuar njëanshëm më 2020. Unë po kërkoj vetëm atë që është e shkruar” , ka thënë ai.

Përkitazi me çështjen, përfaqësuesi i Lartë i BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell, është paralajmëruar se do t’i presë gjatë së premtes në Paris kryeministrin Kurti dhe presidentin serb për takime të ndara.

Peter Stano, zëdhënësi i BE-së për Politikë të Jashtme, ka bërë të ditur në konferencën e rregullt për media në Bruksel, se takimet do të jenë një përpjekje për të ndihmuar në uljen e tensioneve të krijuara dhe për t’i dhënë shtysë avancimit të dialogu Kosovë–Serbi, të lehtësuar nga BE-ja.

“Përfaqësuesi i Lartë udhëtoi në Paris e në margjina të Forumit për Paqe do të takohet nesër, në takime të ndara, me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti e presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq. Nuk do të them se cili do të jetë mesazhi kryesor, pasi që ai do t’u jepet në takim. Por, mund t’ju them se cili është qëllimi i takimit. Qëllimi është që të vazhdohet angazhimi i BE-së për të ndihmuar të dyja palët që të depërshkallëzojnë tensionet dhe të arrijnë më në fund përparim në dialogun e lehtësuar nga BE-ja. Këtë po mundohemi ta bëjmë, sidomos pas përshkallëzimeve të fundit. Ky është objektivi kryesor i BE-së”, ka thënë Stano në konferencë për media.

Kurti para se të nisej në Paris kishte përmendur edhe mundësinë për një takim trepalësh me Macronin dhe me Vuçiq për diskutimin mbi planin franko-gjerman dhe të situatës në veri, pas dorëheqjes së serbëve nga institucionet e Kosovës.