LAJMET E MBRËMJES

Liderët opozitarë kërkojnë që Qeveria të koordinohet me aleatët ndërkombëtarë

Liderët opozitarë i kanë kërkuar kryeministrit Albin Kurti që të ketë koordinim të plotë me partnerët ndërkombëtarë për situatën e krijuar në veri.

Pas takimit të zhvilluar me ftesë të kryeministrit Kurti për të diskutuar për zhvillimet e fundit, ata thanë se Kurti s’ka plan për çështjen e veriut.

Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, dhe ai i LDK-së, Lumir Abdixhiku, kërkuan veprime të përgjegjshme që e ruajnë sovranitetin e vendit.

“Nuk mund të them se dola me ndonjë siguri të madhe se Qeveria e di në çfarë drejtimi është duke shkuar dhe çfarë veprimesh duhet të ndërmarrë për ta mbajtur situatën nën kontroll, sepse në fund të fundit qëllim i të gjithëve duhet të jetë mbarëvajtja e rendit publik dhe mbajtja e paqes, por me këtë rast edhe një herë ja shpreha qëndrimin e Partisë Demokratike të Kosovës, se në këtë moment Kosovës i duhen veprime të përgjegjshme”, tha Memli Krasniqi.

“Nuk kuptuam diçka më të re sesa deklarimet e kryeministrit. Nuk pamë plan për zgjidhjen e çështjes së krijuar. Nuk pamë lëvizje për koordinim të plotë me aleatët tanë. Besojmë se koordinimi me Departamentin e Shtetit dhe me institucionet, me Uashingtonin dhe Brukselin, është zgjidhja e vetme për situatën e krijuar. Kosova duhet të sigurojë paqen dhe sovranitetin në territorin e vet”, tha Lumir Abdixhiku.

I pakënaqur me atë çfarë ishte diskutuar, kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka lëshuar takimin vetëm 20 minuta pas fillimit të tij. Në një postim në Facebook, ai ka thënë se u detyrua ta lëshojë takimin, pasi Kurti, sipas tij, nuk sqaronte pse i ka prishur raportet me Amerikën.

“Edhe pse isha pjesë e takimit me kryeministrin Kurti, u detyrova ta lëshoj takimin sepse Kurti mbante ligjërata e nuk na sqaronte se përse i ka prishur raportet me Amerikën dhe përse nuk po kthehet që të realizojë kërkesën e tyre. Për mua është e papranueshme që në raste kaq të ndjeshme, t’i prishim raportet me aleatin kryesor të sigurisë”, shkroi Haradinaj.

Por shefi i ekzekutivit, edhe pse pas takimit nuk u prononcua për media, në një rast tjetër tha se është në koordinim me vendet e Quint-it, NATO-n, KFOR-in, SHBA-në dhe EULEX-in.

“Nuk është e vërtetë që nuk dimë ne se çfarë rruge jemi duke shkuar, rruga jonë është rrugë e ligjshmërisë, e kushtetutshmërisë, e lirive dhe të drejtave të njeriut dhe pakicave, është rrugë e paqes dhe sigurisë, e cila bëhet në përputhje me mandatin tonë, me vullnetin e popullit dhe në bashkërendim me miqtë, aleatët dhe partnerët tanë perëndimorë”, tha kryeministri Albin Kurti.

Kurti ka thënë se nuk bëhet fjalë për kurrfarë prishjeje të raporteve me ndërkombëtarët.

Përfaqësuesit e serbëve kanë ofruar dorëheqje nga institucionet në katër komunat veriore, nga gjyqësori, Policia, Qeveria dhe Kuvendi, pas vendimit të Qeverisë që parasheh sanksione për ata që nuk i konvertojnë targat ilegale në RKS.

Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara i kanë kërkuar Kurtit që të shtyjë zbatimin e vendimit për targa, si dhe të themelojë Asociacioninin ashtu siç parashihet në marrëveshjen e arritur vite më parë në Bruksel.