Komisioni Parlamentar për Mbikëqyrjen e Financave Publike pati në rend dite shqyrtimin e Raportit të Auditimit të pasqyrave financiare të Telekomit. Por një çështje tjetër u bë sebep për përplasje mes ligjvënësve të pushtetit dhe opozitës.
Deputetja e Vetëvendosjes, Mirlinda Sadiku Tishukaj, dhe deputeti i Partisë Demokratike, Hajdar Beqa, polemizuan për një pjesë të procesverbalit të mbledhjes paraprake të komisionit.
“Procesverbali i datës 4 tetor nuk e ka përfshirë diskutimin e tërësishëm. Megjithatë dëshiroj që të hyjë në procesverbal që deputeti Beqaj ka përdoru një gjuhë joparlamentare”, tha deputetja e VV-së, Mirlinda Sadiku-Tishukaj.
“Atë që e kamë thënë e kam thënë me vetëdije të plotë, mund të ta përsëris çdo ditë, çdo moment dhe është mendim i imi personal por nashta s’ke ditë me më kuptu”, tha deputeti i PDK-së, Hajdar Beqa.
“Ju edhe në mes të parlamentit i keni thënë njeriut ta heqi kokën. Poashtu edhe shefi i grupit parlamentar na ka ofenduar”, tha deputetja Sadiku-Tishukaj.
Pas kësaj, deputetët e PDK-së e braktisën mbledhjen e Komisionit.
E, polemikat vazhduan, edhe kur në rend dite u vu shqyrtimi i raportit të Auditimit për Telekomin.
“Nëse marrim pasqyrat financiare prej vitit 2016 humbje kanë qenë 51 milionë, pastaj 15 milionë më 2019, ndërsa në 2021 ne kemi mbërri me pasë fitim, jo humbje. Pra fitim me forca vetanake, pa ndihmë qeveritare”, tha Burbuqe Hana, ushtruese e detyrës së kryeshefes ekzekutive në Telekom.
“Ju po theksoni që në vitin 2021 keni dalë me 3 milionë euro fitim, mirëpo po harroni që i keni marrë 10 milionë euro prej qeverisë. Nëse e kalkulojmë këtë, i bie që do të kishte me qenë 7 milionë euro humbje”, tha deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami.
Por, një përfaqësues i Telekomit tha se shumë probleme të tashme e kanë burimin tek abuzimet e viteve më parë.
“Si pasojë e obligimeve për me pagu “Dardafonin” për të cilin ne nuk kemi qenë përgjegjës, ne s’kemi mundur me ta paguajmë ATK-në. Në momentin që s’mundesh me pagu obligimet ndaj ATK-së, kërkohet me pagu kamata dhe ndëshkime për vonesa. Rreth 2 milionë euro janë kamata (ndëshkime) të ATK-së si pasojë e pamundësisë për t'i paguar”, tha Feim Kelmendi, ud i Drejtorit Financiar të Telekomit.
Në këtë mbledhje, iu bë thirrje Prokurorisë të hetojë për abuzimet.
“Besoj që prokuroria me gjithë të gjeturat e Zyrës Kombëtare të Auditimit do të duhej të shkojë t’i marr këto dosje, sepse këta persona që e kanë sjellë në këtë gjendje Telekomin kanë një përgjegjësi dhe do të duhej të kishte çdo ditë lajme në media se si janë arrestuar zyrtarët e tillë”, that deputetja e VV-së, Sadiku-Tishukaj.
Në komision, përfaqësues të Telekomit thanë se kompania është e mbingarkuar me punëtorë dhe se për 5 vjetët e ardhshëm nuk ka nevojë për rekrutim të të rinjve.