LAJMET E MBRËMJES

Për tre vjet, u importuan rreth 80 milionë euro rrymë nga Serbia

Komisioni Hetimor parlamentar në lidhje me procesin e vendimmarrjes në sektorin e energjisë për periudhën 2006-2022 ka intervistuar menaxhmentin e KOSTT-it për periudhën 2006-2008. Nga aty u tha se gjatë këtyre viteve, Kosova ka importuar energji në vlerë 118 milionë euro.

Rreth 80 milionë euro për tre vjet ka importuar rrymë Kosova nga Serbia gjatë periudhës 2006 – 2008.

Në Komisioni Hetimor për sektorin e energjisë gjatë vitit 2006-2022, në të cilin ka dëshmuar ish-kryeshefi i KOSTT-it, Fadil Ismaili, u tha se Kosova kishte importuar më së shumti energji nga kompania IFT Group nga Serbia.

“Në mesin e partnerëve kah kemi importuar energji elektrike, nga 118 milionë euro, 55 milionë i kemi importuar nga IFT Grup nga Vuk Vukamoviq, 20 milionë nga Roadnap Grup e Qeverisë së Serbisë, 2 milionë euro nga IPIES dhe 2.6 milionë euro nga GENI-DOO Beograd”, ka thënë deputeti i VV-së, Armend Muja.

Ish-kryeshefi i KOSTT-it, Fadil Ismajli, ka thënë se KOSTT-i në atë kohë nuk ka importuar dhe se importet janë bërë nga KEK-u. Por, ka arsyetuar tregtinë me kompanitë serbe.

“IFT që e dina kush qëndron prapa, e di që ofertat në KEK gjithmonë ka qenë më i volitshmi. Shtrohet pyetja pse... ka pas kompani që kanë ofertuar, por gjithmonë IFT ka dalë më e lira, sepse ajo i ka keqpërdorur hidrocentralet e Bosnjës që janë në pjesën e Republikës serbe dhe duke qenë hidrocentrale, ata munden për ta ofruar energjinë modulare kurdo që ti e kërkon”, ka thënë Ismajli.

Ismajli dhe ish-menaxhmenti i KOSTT-it në atë kohë janë pyetur nëse kanë qenë në dijeni që këto kompani kanë qenë në pronësi të Qeverisë serbe, por ata kanë mohuar një gjë të tillë.

Gjatë raportimit Ismajli është pyetur edhe nëse kompania që dikur ka qenë pronar ka fituar tender në KOSTT gjatë vitit 2006-2008.

Por, ai ka thënë se ka qenë pronar para luftës dhe se kompania i është bartur Vegim Gashit, duke shtuar se në KOSTT-i ka qenë në partneritet me një kompani tjetër, e cila ka qenë bartëse e projektit.