LAJMET E MBRËMJES

Interpelanca e Muratit për pagat e mësimdhënësve: Akuza, fyerje e performanca në Kuvend

Ministri i Financave, Hekuran Murati, është përballur me akuza të opozitës të premten, kur me kërkesë të AAK-së është thirrur në interpelancë. Ligjvënës opozitarë thanë se Qeveria e ka interpretuar gabimisht ligjin kur ua ka ndalur pagat mësimdhënësve grevistë dhe e akuzuan atë edhe për përdorim të standardeve të dyfishta. E, ministri Murati tha se pas sindikalistëve qëndrojnë partitë opozitare. Në seancë pati edhe fyerje mes deputetësh e nuk munguan as performancat.

Me akuza për diskriminim dhe cenimin e të drejtave të mësimdhënësve është përballur ministri i Financave, Hekuran Murati, në interpelancën që Kuvendi e ka mbajtur pas mosekzekutimit të pagave për këtë kategori të punonjësve publikë.

Qeveria nuk i ekzekutoi pagat, duke u thirrur në Ligjin për grevat. Por, këtë e gjykuan interpretim të gabueshëm deputetët e AAK-së, parti që e thirri në interpelancë ministrin.

“Qeveria nuk është punëdhënës i personelit parauniversitar, punëdhënës është komuna. Kontrata nënshkruhet me departamentin komunal dhe këtu është vija llogaridhënëse. Ministria dhe thesari e ka obligim ekzekutimin për listat që u dërgohen”, ka thënë Besnik Tahiri i AAK-së.

Opozitarë të tjerë thanë se Qeveria veproi me dy standarde kur mësimdhënësve ua ndali pagën dhe jo edhe atyre punonjësve të administratës, që ishin në grevë.

“Sot, të papaguar e të dënuar janë vetëm 25 mijë mësimdhënësit grevistë; jo grevistët e tjerë. Dhe nëse respektimi i ligjit qenka kërkesë, pse nuk vlejti për të gjithë njëjtë. Nëse pagesa e mësimdhënësve qenka shkelje e ligjit, a e keni shkelur ligjin dhe për të tjerët”, u shpreh kreu i LDK-së, Lumir Abdixhiku.

“Qasja është krejtësisht e paligjshme pse janë përjashtuar veç mësimdhënësit e jo të gjithë shërbyesit civilë për shembull? Këtu nuk kemi të bëjmë me ligjshmëri, por me një tendencë që t’u thuhet mësimdhënësve që do t’u nënshtrojmë dhe kemi për t’ju shkatërruar si organizim sindikal”, shtoi kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi.

Në fjalën e tij ministri i Financave nuk diskutoi për çështjen e diskriminimit, por ai tha se do të punojë mbi bazën e parimit se nuk do të ketë pagë për ata që nuk punojnë. Ai akuzoi opozitën se qëndron pas veprimeve të sindikalistëve të arsimit.

“E kemi parë që sa e sa ditë japin ultimatum herë PDK, herë SBASHK-u e herë LDK-ja dhe në fund kallëzimin penal e dorëzoi PDK në vend të SBASHK-ut. Nga kjo grevë u pa kush ka qëndruar prapa këtij sabotimi të shtetit”, ka thënë Hekuran Murati.

Disa nga deputetët nuk kishin interes për debatin që zhvillohej.

E disa nga ta diskutimin e çuan deri në fyerje.

“Paramendo del Ardian Kastrati ua çan hallin mësimdhënësve a vetë është plagjiator. Shkronja vjedh tipi, ua merr të tjerëve e i shet si të vetat”, ka thënë deputeti i VV-së, Dimal Basha.

Ndërsa Ardian Kastrati iu përgjigj duke e quajtur “klloshar, çoban...”

Krahas fyerjeve, pati edhe performanca në seancë. Deputeti i PDK-së, Mërgim Lushtaku “i dha” infuzion kryeministrit Albin Kurti.