Për mësimdhënësit që nuk kanë marrë paga në muajin shtator shkaku i grevës, ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, ka propozuar që ajo të procesohet si avancë për kompensim të orëve të humbura. Ajo ka publikuar edhe kalendarin e ri shkollor, i cili parasheh mësim edhe gjatë të shtunave dhe shkurtim të pushimit dimëror. Sindikalistët nuk janë deklaruar ende për propozimin.
Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, ka rekomanduar një formulë për pagën e shtatorit të mësimdhënësve. Ajo ka insistuar se nuk duhet paguar për ditët e grevës, por i ka propozuar Ministrisë së Financave që t’ua qesë mësimdhënësve pagën në formë avance, si kompensim për zëvendësimin që do ta bëjnë për orët e humbura.
Nagavci e ka ndryshuar edhe kalendarin e vitit shkollor 2022-2023, i cili përmban kompensimin për orët e humbura gjatë grevës.
“Duke qenë të bindur se punëtorët e arsimit do të respektojnë vendimin e ri për kalendarin e vitit shkollor dhe do të kryejnë punën, dhe duke marrë parasysh faktin se shumë prej tyre janë vënë në lajthitje ose kanë pasur paqartësi rreth dispozitave ligjore, i kemi propozuar Ministrisë së Financave, Punës dhe Transfereve që të shqyrtojnë mundësinë e pagesës në avancë, ashtu që familjet e mësimdhënësve, të mos mbesin pa paga deri në fund të muajit, kur edhe dalin pagat për muajin tetor”, thuhet në njoftim të saj.
Sipas kalendarit shkollor të publikuar nga vetë ministrja, mësimdhënësit e angazhuar në nivelin fillor dhe të mesëm të ulët, tetë ditë të humbura të mësimit do t’i kompensojë të shtunave. Krahas kësaj, ata do të punojnë edhe 10 ditë më shumë, pas riorganizimit të dy gjysmëvjetorëve.
Ndërkaq, edhe mësimdhënësit e shkollave të nivelit të mesëm të lartë do të punojnë rreth 20 ditë më shumë, por jo të shtunave.
Sindikalistët e arsimit nuk janë deklaruar nëse do ta pranojnë formulën e propozuar nga Nagavci për pagën, dhe as nëse do t’i kompensojnë orët e humbura gjatë grevës.
E, para se ministrja ta jepte propozimin për pagën e shtatorit, Institucioni i Avokatit të Popullit i ka bërë thirrje Qeverisë që të mos ua ndal mësimdhënësve atë.
“Mosekzekutimi i pagave të mësimdhënësve do ta rrezikojë seriozisht mirëqenien sociale për mësimdhënësit dhe për familjet e tyre, në një gjendje edhe ashtu të brishtë, e kjo nuk do t’i kontribuojë dialogut social dhe përmirësimit të situatës së krijuar”, ka thënë Avokati i Popullit.
Kundër qëndrimit të Qeverisë për ndalje pagash të grevistëve, janë pozicionuar publikisht së paku 6 deputetë të pushtetit: Eman Rrahmani, Visar Korenica, Fatmir Humolli, Alban Bajrami, Jeta Statovci dhe Haxhi Avdyli.
Përveç tyre, edhe partitë opozitare i kërkuan Qeverisë që sa më parë t’i ekzekutojë pagat.