LAJMET E MBRËMJES

Ministri çek, Jan Lipavsky optimist se vendimi për liberalizim do të përmbyllet gjatë këtij viti

Descriptive Text

Shpresë por jo premtim për heqjen e vizave ka dhënë ministri i Jashtëm i Çekisë, Jan Lipavsky, gjatë qëndrimit në Kosovë.

Çekia që nga 1 korriku kryeson Presidencën e Këshillit të Bashkimit Evropian.

Kryediplomati i këtij vendi ka thënë se fillimisht do të shqyrtohen disa çështje teknike e pastaj do ta presin vendimin politik për liberalizimin.

“Do të doja të theksoja se Ballkani Perëndimor, duke përfshirë Kosovën, është një nga prioritetet tona dhe përpjekjet tona fokusohen në të bërit sa më shumë progres në procesin e integrimit dhe kjo po ashtu përfshinë çështjen e liberalizimit të vizave. Duhet të kuptojmë se duhet të bëhet ende punë, por jemi në rrugë të drejtë dhe shpresojmë se do të gjejmë përkrahje politike për këtë proces në mënyrë që të përmbyllet suksesshëm”, tha Lipavsky.

Derisa ka konfirmuar se heqja e vizave do të jetë në agjendën e takimit të 13 tetorit të grupit punues të Këshillit Evropian, zv.kryeministri Bislimi, ka thënë se ky diskutim është vetëm hapi i parë.

“Kosova do të jetë në agjendë më 13 tetor ky është hap i rëndësishëm por jo përfundimtare, janë 5 procedura por ne kemi besim të plotë se Republika e Çekisë do të shtyjë përpara këtë proces gjatë presidencës kështu që do të kemi një mesazh pozitiv për qytetarët tanë. Ky është vetëm hapi i parë por shumë i rëndësishëm por vetëm hapi i parë drejt liberalizimin e vizave”, u shpreh Bislimi.

Duke theksuar domosdoshmërinë e rezultateve nga dialogu me Serbinë për integrimin ne BE, ministri i Jashtëm i Çekisë, kërkoi edhe zbatimin e marrëveshjeve të arritura në Bruksel.

“Normalizimi i marrëdhënieve me fqinjët dhe bashkëpunimi rajonal është aspekt qenësor për procesin e integrimit evropian. Pa sukses në këtë fushë është e pamundur që të kemi sukses që të përafrohemi në Bashkimin Evropian”, deklaroi ministri çek.

“Po ashtu e informova z. Lipovski se qeveria jonë që nga fillimi është përfshirë në mënyrë konstuktive në dialogun me Serbinë dhe gjithmonë jemi të gatshëm të ofrojmë ide, propozim dhe zgjidhje që kontribuojnë në normalizimin e plotë të marrëdhënieve me Serbinë dhe e shohim kruciale që procesi i normalizimit të plotë të ketë të qartë rezultatin, afatin dhe të ketë parimet e qarta në dialogun e ndërmjetësuar nga BE-ja”, shtoi Bislimi.

Heqja e vizave për Kosovën ka qenë temë diskutimi edhe në takimin që ministri I Punëve të Jashtme të Çekisë ka pasur me presidenten Vjosa Osmani. Sipas njoftimit nga zyra e saj, Osmani ka theksuar se është e rëndësishme që ky proces të përmbyllet gjatë presidencës çeke.

Kryediplomati Lipavsky, është pritur edhe nga kryeministri Albin Kurti.

Së bashku me ministrin Lipavsky, në Kosovë të enjten ka qëndruar edhe një delegacion i Komisionit të Punëve të Jashtme të Parlamentit të Çekisë, e i cili është pritur nga kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, e ka zhvilluar takime me ligjvënësit kosovarë.