Përderisa greva në arsim ka hyrë në javën e katërt, të shqetësuar me mosfillimin e mësimit, tash e 24 ditë, është shprehur Koalicioni i Organizatave Joqeveritare për mbrojtjen e Fëmijëve. Në shenjë proteste, është improvizuar një klasë të zbrazët në qendër të Prishtinës. Përfaqësues të KOMF-it kanë kërkuar nga palët e përfshira që interesi i fëmijëve të vihet para çdo interesi tjetër
Ylber Tufa, është gjysh i shtatë mbesave e nipave. Prej se ka nisur greva në shkolla, ai është kujdesur për fëmijët e familjes Tufa. Por, ndonëse thotë se kjo periudhë nuk ka qenë e lehtë për të e familjen, ai shprehet se më e vështirë ka qenë për nipat e mbesat e tij, e sidomos për ata që më 1 shtator është dashur që për herë të parë të ulen në bankat shkollore.
“Po më dhimben mbesat e nipi që nuk po munden me shku në shkollë se mezi nuk kanë prit 1 shtatorin për me ardhë. Janë përgatitë psiqikisht e fizikisht për me shku në shkollë”, thotë ai, derisa shton se çdo ditë përballet me pyetjet se kur do t’ia nisë shkolla nga ta.
Por, Ylber Tufa i druhet humbjes së kohës, tash e tri javë pa mësim. Sipas tij, humbja e mësimit gjatë gjithë muajit shtator do të jetë vështirë e kompensueshme.
“Ma merr mendja se i kemi humbë tri javë dhe nëse i humbin edhe një javë, humbet muaji e ai është i pakompensueshëm kur dihet që vendimi i sindikatës që këto orë nuk do te kompensohen”, thotë ai.
Tufa, ishte në mesin e disa familjarëve të tjerë të cilët të shtunën dolën në qendër të kryeqytetit për të parë instalacionin e vendosur nga Koalicioni i Organizatave Joqeveritare për Mbrojtjen e Fëmijëve. Ky koalicion para objektit të Qeverisë së Kosovës improvizoi një klasë të zbrazët, me banka e çanta mbi to.
Nëpërmjet këtij instalacioni, nga ky koalicion kanë thënë se janë duke shprehur pakënaqësinë për shkollat e mbyllura tash e 24 ditë. Siç ka deklaruar drejtoresha e KOMF-it, Donjeta Kelmendi, rreth 320 mijë fëmijëve është duke iu shkelur e drejta kushtetuese për arsim.
“Për ne si koalicion situata e krijuar është jashtëzakonisht shqetësuese, është shumë e papranueshme sepse interesi më i mirë i fëmijës do të duhej të ishte konsiderata kryesore për të gjitha palët e përfshira në këtë proces”, ka thënë ajo. Po kaq shqetësuese për Kelmendin është edhe mosmarrja parasysh e dëmeve që mosfillimi i procesit mësimor do të shkaktojë nga palët e përfshira.
“Jemi shumë të shqetësuar që në gjithë këtë diskurs publik, shumë pak janë përmendur nga palët dëmet të cilat janë duke u shkaktuar te nxënësit por edhe familjet”, ka thënë ajo.
Dëmet nga mosfillimi i mësimit, është thënë të jenë të mëdha e vështirë të përmirësueshme te nxënësit.
Remzie Krasniqi, po ashtu, nga KOMF-i ka thënë se kompensimi i orëve të humbura të mësimit është i vështirë, sidomos te gjeneratat më të reja, tek ata që është dashur të nisin klasën e parë këtë shtator e te fëmijët me nevoja të veçanta.
“Bëjmë thirrje si organizata që palët që janë të përfshira në këto bisedime të jenë tani e tutje shumë më shumë interes më të madh të fëmijëve. Dëmet që janë shkaktuar edhe se si do t’i adresojnë”, ka thënë ajo.
Përderisa shkollat mbesin të mbyllura, Sindikata e Arsimit dhe Qeveria janë betonuar në qëndrimet e tyre, duke pamundësuar gjetjen e një zgjidhjeje që do t’i jepte fund grevës.