LAJMET E MBRËMJES

Qeveria me 654 milionë euro për komunat, Kurti pret reflektim te qytetarët

Komunave të Kosovës do t’u rritet buxheti për 15 për qind vitin tjetër, ka thënë kryeministri Albin Kurti në një takim që të shtunën e ka pasur me kryetarët e komunave. Në këtë takim, ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, u kërkoi më shumë punë kryetarëve, duke përmendur se kanë realizuar vetëm 10.2 për qind të projekteve kapitale. Përderisa Kurti ka thënë se kjo rritje e buxhetit duhet të reflektojë në rritjen e cilësisë së shërbimeve komunale ndaj qytetarëve, prej kryetarëve ka pasur kritika në adresë të qeverisë së tijKomunave të Kosovës do t’u rritet buxheti për 15 për qind vitin tjetër, ka thënë kryeministri Albin Kurti në një takim që të shtunën e ka pasur me kryetarët e komunave. Në këtë takim, ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, u kërkoi më shumë punë kryetarëve, duke përmendur se kanë realizuar vetëm 10.2 për qind të projekteve kapitale. Përderisa Kurti ka thënë se kjo rritje e buxhetit duhet të reflektojë në rritjen e cilësisë së shërbimeve komunale ndaj qytetarëve, prej kryetarëve ka pasur kritika në adresë të qeverisë së tij

Buxheti për komunat e Kosovës do të jetë 15 për qind më i lartë vitin e ardhshëm. Në një takim të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, me kryetarët e komunave u bë e ditur se buxheti për nivelin lokal do ta kapë shifrën e 654 milionë eurove vitin tjetër. Në këtë takim, të mbajtur të shtunën në Pejë, kreu i Qeverisë ka thënë se kjo rritje e buxhetit duhet të reflektojë në rritjen e cilësisë së shërbimeve komunale ndaj qytetarëve. Kryeministri Kurti ka theksuar se qasja e qeverisjes së tij është që të jetë afër qytetarëve nëpërmjet komunave. Para krerëve komunalë, ai i ka numëruar edhe ato që i quajti suksese në fushën e qeverisjes lokale. Ka deklaruar se Qeveria ka ndërmarrë hapa konkretë që nga hartimi i planit kombëtar të zhvillimit deri te hartimi i planit për zvogëlimin e barrës administrative. Ka thënë se në fazën e fundit të hartimit të strategjisë për digjitalizimin e shërbimeve.

“Kemi ndërmarrë shumë hapa reformues, duke filluar me kornizën ligjore që rregullon pushtetin lokal, dyfishimin e mbështetjes së komunave përmes ministrive të linjës, si dhe më e rëndësishmja komunikim të drejtpërdrejtë ndërmjet nivelit qendror dhe atij lokal”, ka thënë Kurti.

Të pranishëm ishin edhe disa nga vartësit e kryeministrit në mesin e të cilëve edhe ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi. Derisa tregoi bilancin e punës së nivelit lokal, Krasniqi u ka kërkuar më shumë angazhim kryetarëve të komunave. Ai ka përmendur edhe mospërmbushjen e obligimit ligjor nga disa komuna që të emërojnë nënkryetarë nga radhët e komuniteteve.

“Kemi evidentuar një ngadalësim të implementimit të këtyre projekteve, aktualisht flasim vetëm për 10.2 për qind të realizimit të të gjitha këtyre projekteve kapitale dhe nga vizitat që i kam në terren me kryetarët e komunave po e vërej që mund të bëhet më shumë, në mënyrë që të bëjnë presion tek operatorët dhe këto projekte të përfundojnë për shkak se mandej ju e dini rrezikun që mjetet mund të kthehen mbrapa”, ka thënë Krasniqi.

E për mosrealizimin e projekteve kapitale, kryetari i Asociacionit të Komunave të Kosovës, Agim Aliu, fajtore mes të tjerash, i bëri edhe Qeverinë e Kuvendin për moskompletim me kohë të bordit të Organit Shqyrtues të Prokurimit, ku ishin bllokuar tenderë në vlerë të mbi 200 milionë eurove.

“Moskompletimi për një kohë i Bordit të OSHP-së e ka bllokuar mbi 1 vit punën e komunave në projekte të ndryshme kapitale. Shto kësaj që kohëve të fundit kemi një rritje enorme të çmimeve, inflacion dyshifror gjë që ka bërë të pamundur punën tutje me kontratat paraprake të projekteve”, është shprehur Aliu.

Prezentë në këtë takim nuk ishin edhe kryetarët e komunave me shumicë serbe. Buxheti i komunave i ndarë për vitin 2022 ka qenë 560 milionë euro.