LAJMET E MBRËMJES

Familjarët e 19-vjeçares që bëri vetëvrasje kërkojnë drejtësi me protestë

Trajtim me prioritet të rastit të vetëvrasjes së Betina Ymerit kanë kërkuar nga institucionet e drejtësisë familjarët e saj dhe një grup aktivistësh, në protestën e organizuar të premten para Gjykatës Themelore në Mitrovicë. 19-vjeçarja nga Komuna e Mitrovicës dyshohet se i dha fund jetës më 8 shtator pas kërcënimeve nga i fejuari i saj.

Me fotot e së ndjerës në duar, familjarët thanë se nëpërmjet këtij organizimi synojnë të përçojnë mesazh tek të gjitha gratë që ta raportojnë dhunën. Fatime Ymeri, nëna e së ndjerës, ka pasur një lutje për gjykatën e për gratë.

“Lus çdo nënë, çdo femër, e cila heton dhunë sadopak, ta lajmërojë rastin në Polici dhe e lus gjykatën t’i shkojë drejtësisë deri në fund, e jo të kërkojë ryshfet”, është shprehur ajo.

E babai ka thënë se praktika në të kaluarën me sistemin e drejtësisë ka bërë që ata të dalin dhe të protestojnë.

“Të mos marrin gjyqtarët ryshfet që të japin dënimin e merituar, ai që merr ryshfet, i shkoftë fëmija i vet në arkivol kështu”, u shpreh ai.

Në protestën e cila u mbajt para Gjykatës Themelore në Mitrovicë, pjesëmarrës po ashtu ishin përfaqësues të shoqërisë civile. Nerimane Ferizi, aktiviste, tha se institucionet përgjegjëse duhet të shqiptojnë dënime të merituara, edhe në raste të tilla.

“Ne e kemi organizuar për të bërë thirrje për drejtësi, njëkohësisht për paanshmëri dhe profesionalizëm të gjykatave, pasi që jemi të gjithë të vetëdijshëm se gjykatat kanë dhënë dënime qesharake për shumë raste, ku gratë kanë përjetuar dhunë”, është shprehur ajo, duke shtuar se rastet e ditëve të fundit që kanë ndodhur në Kosovë kanë shtuar kërkesën për të drejtat e grave dhe parandalimin e dhunës.

Të fejuarit të saj, L.Sh., Gjykata Themelore në Mitrovicë tashmë i ka caktuar masën e paraburgimit nën dyshimin për “shtytje në vetëvrasje”. KOHA ka dërguar pyetje në Prokurorinë Themelore të Mitrovicës se për çfarë kërcënimesh bëhet fjalë, mirëpo përgjigje nuk ka marrë. E në Policinë në këtë Komunë kanë thënë se viktima kohët e fundit kishte qenë në presion të vazhdueshëm nga i dyshuari, i cili është arrestuar.

“Me datën 09.09.2022, rreth orës 21:40, si rezultat i hetimeve të zhvilluara nga ana e Njësisë së Hetimeve Rajonale në Mitrovicën e Jugut (NJHR) në koordinim me prokurorin e shtetit, hetuesit e NJHR-së kanë arrestuar personin L.SH, 19-vjeçar, duke u bazuar në dyshimet se viktima kohët e fundit kishte qenë në presion të vazhdueshëm nga i dyshuari, në këtë rast i fejuari i viktimës”, thuhet në një përgjigje të Policisë rajonale në Mitrovicën e Jugut.

Sipas të dhënave të Policisë së Kosovës, në periudhën janar – gusht të këtij viti janë shtatë raste të shtytjes në vetëvrasje dhe ndihma në vetëvrasje.