Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë të jetë i painformuar për kornizën e re të dialogut, ide të cilën presidenti serb, Aleksandër Vuçiq, tha se treshja evropiane ia ka prezantuar javën e shkuar.
Pas pyetjes që iu shtrua për këtë ide, kryeministri Kurti ka folur për kapitujt që duhet t’i përmbajë marrëveshja finale, e të cilët i ka prezantuar para ndërmjetësit Miroslav Lajçak dhe këshilltarit të kancelarit gjerman dhe atij të presidentit francez.
“Ky ka qenë propozimi im dhe ata janë duke e trajtuar këtë me shumë vëmendje. Besoj që do të lëvizin në këtë drejtim, mirëpo unë nuk mund të flas tash se çfarë përshtypjesh e diskutimesh kanë bërë në Beograd për shkak se nuk i di ato”, u shpreh ai.
Informacione nuk janë dhënë as për ndonjë datë të konfirmuar për takimin mes kryeministrit Kurti e presidentit Vuçiq, e i cili është planifikuar të mbahet këtë muaj.
Kreu i Qeverisë nuk ka folur as për ndërhyrjet në tekstet e marrëveshjeve që Elektrosever ka bërë me KOSTT-in, duke e fshirë fjalën Republikë. Ndonëse prej kohësh është arritur marrëveshja për energjinë, kompania serbe ende nuk ka përmbushur asnjë nga kushtet për të nisur operimin në veri.
Por kryeministri Kurti ka thënë se Kosova nuk do të ndërmarrë veprime shpejt.
“Natyrisht ne i kemi idetë tona, mirëpo asnjë veprim nuk e ndërmarrim pa folur ZRRE-ja që është institucion shtetëror. Kjo çështje në thelb është mbiqeveritare dhe vetëm atëherë kur të kalojë fazën mbiqeveritare ajo shtetërore e ZRRE-së vijmë në shprehje ne”, tha ai.
Në veriun e banuar kryesisht me serbë, Kosova përballet edhe me probleme të tjera, krahas mosfaturimit të energjisë.
Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka konfirmuar se kabllo optike janë dëmtuar së fundmi në këtë pjesë, nga persona ende të panjohur.
“Unë çfarë mund t’ ju them, se ajo është infrastrukturë kritike që do të thotë se dëmtimi i saj është vepër jashtëzakonisht e rëndë penale dhe me të cilat institucionet tona po merren në vazhdimësi. Në momentin kur ne të kemi informata më konkrete se kush është duke i dëmtuar, normalisht se do ta sjellim para drejtësisë dhe do të kërkojmë dënime të ashpra”, pohoi Sveçla.
Që nga 2011-a Kosova dhe Serbia diskutojnë në Bruksel për normalizim raportesh, por deri tash janë mbërritur marrëveshje që kryesisht kanë të bëjnë me veriun. Shumë nga to ende nuk kanë gjetur zbatim.