Inflacionit në Kosovë, Qeveria po synon t’i bëjë ballë me një pako 150 milionëshe që do të përfshijë subvencionim të rrymës, si dhe mbështetje financiare për disa kategori të shoqërisë.
Me këtë pako, që u prezantua të shtunën nga kryeministri Albin Kurti e ministri i Financave, Hekuran Murati, më së shumti do të subvencionohen zyrtarët publikë, të cilët do t’i marrin nga 50 euro shtesa për 4 muajt e mbetur të këtij viti.
Ndërsa nga 100 euro shtesë vetëm për muajin shtator do të ndahen për pensionistët e të punësuarit në ndërmarrje publike, derisa atyre me asistencë sociale do t’u dyfishohet pensioni për këtë muaj.
Për sektorin privat, mbështetjen Qeveria e ka lënë në kapacitetet e punëdhënësve, të cilët do t’i subvencionojë përgjysmë për tre muaj po qe se ua rrisin pagat punëtorëve.
“Të gjithë e dini shumë mirë se nga të gjithë të punësuarit në Kosovë, 80 për qind janë të punësuar në sektorin privat, ndërkaq një e pesta janë të punësuar përafërsisht në sektorin publik. Prandaj do të mbështesim secilin biznes që i rrit pagat e punëtorëve duke subvencionuar 50 për qind të rritjes së pagës për punëtor maksimumi 100 euro për tre muajt e parë”, tha Kurti.
Edhe studentët do të marrin nga 100 euro për muajin nëntor.
Mbështetje do të ketë edhe për ata që kursejnë rrymë.
Personat që arrijnë të shpenzojnë më pak energji elektrike krahasuar me muajin e njëjtë të vitit të kaluar do të subvencionohen në faturë me dyfishin e asaj që e kursejnë.
“Për shembull nëse janë shpenzuar 1000 kilovatë orë në shtatorin e shkuar dhe sivjet 900, mund të konsiderohet se është bërë kursim prej 100 kilovatëve, ose 10 për qind. Për këtë përqindje do ta mbështesim subvencionimin e faturës 20 për qind. Dyfishin e kursimit që e bëjnë qytetarët”, tha ministri i Financave, Hekuran Murati.
Kryeministri e ministri i Financave thanë se së shpejti do ta procedojnë në Qeveri e Kuvend, Projektligjin për punë publike me të cilin kanë paraparë kompensimin për inflacion për materiale ndërtimore dhe punët përcjellëse.
© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.