LAJMET E MBRËMJES

PDK dhe LDK: Qeveria u ka shpallur luftë sindikatave

Opozita i ka kërkuar Qeverisë të dialogojë me sindikatat për t’u dhënë fund ngërçeve të shkaktuara nga greva në sektorin publik. Dy partitë më të mëdha opozitare kanë drejtuar akuza të rënda në adresë të Ekzekutivit. LDK-ja ka thënë se mosekzekutimi i pagave është i paligjshëm, derisa PDK-ja e ka akuzuar Qeverinë për luftë kundër sindikatave e veprimeve pa tru.

Dialog me Sindikatën e Arsimit, ndalje të veprimeve të paligjshme dhe ekzekutim të pagave i kanë kërkuar partitë më të mëdha opozitare Qeverisë, në ditën kur ishte paraparë të fillonte mësimi. Nga Partia Demokratike e Kosovës e kanë akuzuar Ekzekutivin për luftë kundër sindikatave.

“Albin Kurti u ka shpallur luftë mësimdhënësve duke i lënë pa para vetëm pse janë futur në grevë, duke i kërkuar të drejtat e tyre legjitime. Ka prekur në themel mirëqenien e tyre. Ai nuk do dialog social, por nënshtrim. Kurti dikur premtonte kthimin e trurit në Kosovë, sot po merr vendime pa tru”, ka thënë deputetja e PDK-së, Eliza Hoxha.

“Me këtë rast ne i bëjmë thirrje Qeverisë që ta kthejë vëmendjen në problemet ekonomike që po e rëndojnë jetën e qytetarëve, sepse ata kanë nevojë ta ndiejnë praninë e Qeverisë përmes përpjekjeve për t’ua përmirësuar kushtet e jetës dhe jo në rolin e shtypësit të të drejtave dhe lirive të tyre”, ka shtuar Arben Mustafa, koordinator i Departamentit për Financa në PDK.

Thirrje të ngjashme për dialog me Sindikatën e Arsimit dhe Bashkimin e Sindikatave të Pavarura janë bërë edhe nga LDK-ja, por edhe akuza. Jehona Lushaku, anëtare e Kryesisë së kësaj partie, ka deklaruar se mosekzekutimi i pagave për zyrtarët publikë është veprim jodemokratik dhe joligjor.

“Kjo tregon gatishmërinë e kësaj Qeverie për t’i dënuar mësimdhënësit, pikërisht ata për dinjitetin e të cilëve ajo nuk e ka dert. Me këtë rast kjo tregon për fuqinë e kësaj Qeverie për të treguar se sa jodemokratike është, por edhe sa e guximshme për të marrë vendime që nuk kanë bazë ligjore. Ky vendim për mosekzekutimin e pagave është tërësisht joligjore. Nuk ka ndodhur asnjëherë, nuk ka asnjë të drejtë, asnjë bazë juridike që pagat të ndalen kolektivisht për punëtorët publikë”, ka thënë Lushaku.

Sipas partive opozitare, Qeveria po tregon edhe joseriozitet dhe papërgjegjësi me kërkesat legjitime të sindikalistëve, kur të gjithë janë të goditur nga inflacioni e kriza energjetike. Ato i kanë kërkuar Ekzekutivit që urgjentisht të nis dialogun me sindikata për t’i dhënë fund mbylljes së shkollave në të gjithë vendin.