LAJMET E MBRËMJES

Ish-nënkryetari i Skenderajt me familjarë, të përfshirë në incidentin ku u plagosën dy policë

Dy policë janë plagosur në Skenderaj pas një përleshjeje fizike me disa persona. Të përfshirë në këtë rast dyshohet se janë ish-nënkryetari i Skenderajt, Nuredin Lushtaku, dhe familjarët e tij. Pas marrjes në pyetje, Lushtaku është liruar me procedurë të rregullt. Ndërkohë policia nuk ka dhënë detaje për dy familjarët e tjerë të Lushtakut që janë në kërkim. Gjithçka besohet se nisi pas shqiptimit të një gjobe për djalin e Lushtakut

Ish-nënkryetari i Skenderajt, Nuredin Lushtaku, dhe familjarë të tij dyshohen të jenë të përfshirë në incidentin e së shtunës mbrëma, ku u plagosën dy zyrtarëve policorë në Skenderaj.

Shqiptimi i një gjobë trafiku për djalin e Nuredin Lushtakut dyshohet të jetë shkaku që çoi në përleshje fizike të 3 familjarëve të Lushtakut me dy zyrtarët policorë, e që përfundoi me plagosjen e këtyre të fundit.

Njëri nga policët është plagosur me armë zjarri në këmbë, ndërsa zyrtari tjetër është lënduar nga mjetet e forta. Dy zyrtarët policorë fillimisht kanë marrë trajtim në Qendrën e Mjekësisë Familjare në Skenderaj, e më pas janë transferuar në QKUK për trajtim të mëtutjeshëm. Policët janë jashtë rrezikut për jetën.

Lushtaku në një deklaratë për “kallxo.com” ka mohuar ta kenë plagosur policin.

“Aksidenti ka ndodhur, ka ndodhur telashi, as nuk e kam plagosur unë kënd, as nuk e kanë plagosur vëllezërit, as djemtë. Polici e ka plagosur policin. As nuk kemi përdorur armë na, e them me përgjegjësi të plotë. Mbetet të raportojë edhe policia. Unë e kam dhënë deklaratën, unë jam i gatshëm të deklaroj çka ka qenë. Polici ua ka drejtuar armën vëllezërve, ka ndodhur përleshja. Nuk e di a ka gjuajtur për ta frikësuar kë a për ta vrarë, e din ai çka thotë”, ka thënë ai.

Por, nga Inspektorati Policor kanë bërë të ditur se deri tani nuk ka asnjë polic të dyshuar për incidentin e së shtunës mbrëma në Skenderaj dhe se hetimet do të vazhdojnë nga Policia e Kosovës.

“Inspektorati Policor i Kosovës, respektivisht hetuesit e Departamentit të hetimeve, janë njoftuar lidhur me këtë incident. Pas njoftimit të njëjtit kanë dalë në vendin e ngjarjes ku ka qenë edhe prokurori kujdestar. Pas konsultimeve me prokurorin kujdestar, ju njoftojmë së në këtë fazë hetimet lidhur me këtë incident do t’i vazhdojë Policia e Kosovës. Në bazë të veprimeve hetimore dhe pas konsultimeve me prokurorin kujdestar në këtë rast, deri në këtë fazë të hetimeve nuk ka ndonjë zyrtar policor të dyshuar”, thuhet në përgjigjen e Inspektoratit të Policisë.

Policia gjatë ditës ka intervistuar Nuredin Lushtakun dhe vëllanë e tij, Faton Lushtaku, të cilët janë dorëzuar në Polici dhe kanë dhënë deklarata, ndërsa djali i Lushtakut dhe vëllai tjetër janë në kërkim.

Rreth mesditës, të dielën, Lushtaku është liruar me procedurë të rregullt, gjë që është konfirmuar nga avokati i tij, Artan Qerkini, i cili ka thënë se Lushtaku nuk dyshohet për përdorim të armës.

“Lushtaku është liruar nga ndalimi policor. Nuk ekziston dyshimi që ai ka përdorur armë në rastin në fjalë. Ne do t’i lëmë të qeta organet që ta kryejnë punën e tyre”, ka thënë Lushtaku.

KOHA ka qëndruar të dielën në Prekaz për të marrë një përgjigje nga Lushtaku dhe familjarët e tij, por ata nuk kanë qenë në shtëpinë e tyre në fshat. Sipas punëtorëve të restorantit familjar, që ndodhet në Qendër të Skenderajt, familja Lushtaku nuk ka qenë as në banesën e saj, që ndodhet në kompleksin e njëjtë me restorantin.

E shqetësuar me sulmin ndaj zyrtarëve policorë është shprehur Sindikata e Policisë.

“Sindikata e Policisë së Kosovës është e shqetësuar me rastin e sulmit ndaj dy zyrtarëve policorë në Skenderaj, me ç’rast njëri nga ta është plagosur me armë zjarri, kurse tjetri me mjet të fortë, duke qenë në kryerje të detyrës zyrtare. Ne kërkojmë nga organet e drejtësisë që për personat e dyshuar të veprohet sipas ligjit! Jemi duke e përcjellë me vëmendje situatën e krijuar dhe do të reagojmë konform informatave që do t’i sigurojmë. Zyrtarëve policorë, të cilët gjenden në trajtim mjekësor, u dëshirojmë shërim të shpejtë”, thuhet në reagimin e Sindikatës.

Edhe nënkryetarja e PDK-së, Vlora Çitaku, ka reaguar ndaj ish-deputetit të kësaj partie, duke thënë se të sulmohet policia është e papranueshme në çdo rrethanë.

“Turp të qoftë Nuredin Lushtaku. Ta sulmosh policinë e Kosovës duhet të jetë e papranushme në çdo rrethanë. Shpresoj që institucionet të reagojnë në zbatim të ligjit. Banditizmat e tilla nuk duhet të normalizohen. Askush mbi ligjin. Pikë”, ka shkruar Çitaku.

Policia e as Prokuroria nuk kanë dhënë detaje të tjera për rastin e ndodhur, e as për masat që ka ndërmarrë ndaj të dyshuarve.