LAJMET E MBRËMJES

Për afro dy muaj Komisioni për energji, nuk arrin ta përpilojë listën e dëshmitarëve

As për afro dy muaj Komisioni hetimor në lidhje me procesin e vendimmarrjes në sektorin e energjisë për periudhën 2006-2022 nuk ka arritur të miratojë listën e dëshmitarëve që do të ftohen për intervistim.

Edhe pse ishin afër një dakordimi në mbledhjen e së martës, ajo u kthye në pikën zero kur PDK-ja kërkoi të ftohej në raportim Haki Abazi, e Vetëvendosje si kundërpërgjigje kërkoi të përfshihen ish-krerët e PDK-së.

“Unë propozoj që të shtohen Hashim Thaçi dhe Kadri Veseli”, tha Arbër Rexha, deputet i Vetëvendosjes.

“Kryeministri Kurti ta bëjë një zotim që na garanton me shkrim, të na sjellë me shkrim, ne do të votojmë, kjo që po thotë zotëri Rexha është në kundërshtim me mandatin e Komisionit, që i bie që nuk po duam të kem raport përfundimtar, por po duam të bëjmë politikë”, tha kryetari i Komisionit hetimor, Hajdar Beqa.

Pas më shumë se një ore e gjysmë diskutimesh pa dakordim, kryetari propozoi për një pauzë 10-minutëshe. Por, pas pauzës, deputetët e opozitës nuk u kthyen në mbledhje, duke bërë që mbledhja të dështojë në mungesë të kuorumit.

“Ne e pamë që nuk ka vullnet për të kaluar këto procedura teknike. I kisha bërë thirrje mazhorancës që të reflektojë që të bëjmë listën përfundimtare nëse kanë pretendime, që të zbardhen çështjet e energjisë që nga viti 2006-2022 në të gjitha nivelet”, tha Beqa.

“Me gjithë përpjekjet tona nuk po ka konsensus pasi kemi dallime konceptuale, nuk pranoi më që të diskutoj në nivel hajgare”, tha deputeti i Vetëvendosjes, Armend Muja.

Çështja se kush e ka shumicën në Komision, mazhoranca apo opozita, ngjalli polemika mes kryetarit Beqa dhe deputetëve të Vetëvendosjes.

Për punën në këtë komision, anëtarët do t’i marrin nga 160 euro shtesë, derisa kryesuesi 250 e zëvendëskryesuesi 182 euro.

Ky komisioni është themeluar me kërkesë të pushtetit, pas formimit të komisionit tjetër për energji i propozuar nga opozita që heton situatën me krizën energjetike në vend gjatë vitit 2021.