Në rast se miratohet tërheqja e deri 30 për qind e kursimeve pensionale, do të rëndohet edhe më tej situata me çmime në vend, ka konstatuar Instituti GAP në një raport të publikuar të martën. Në tryezën, gjatë së cilës është publikuar raporti, ka pasur edhe përplasje mes pushtetit dhe opozitës
Rreth 600 milionë euro do të dilnin në treg, nëse u lejohet qytetarëve tërheqja e 30 për qind të kursimeve nga Trusti, është kalkulim që e ka publikuar të martën Instituti GAP, e i cili ka konstatuar se kjo do ta rëndonte edhe më tej situatën me çmime.
Në një tryezë diskutimi të organizuar në Prishtinë, në të cilën është paraqitur raporti “Ndikimi i tërheqjes së kursimeve pensionale deri në 30 për qind në ekonominë e Kosovës”, hulumtues të këtij instituti kanë thënë se kjo do ta dëmtonte edhe kredibilitetin e Trustit dhe do të rrezikonte edhe investimet e tjera në tregjet financiare.
“Ne jemi një shtet netoimportues dhe normalisht rritja e çmimeve në tregjet ndërkombëtare reflektohet drejtpërdrejt në çmimet vendore. Nëse analizojmë gjithsej konsumin sipas bruto-produktit vendor nga ASK-ja në vitin 2021 dhe i shtojmë vlerën prej 594 milionë eurosh, e shohim se në rast që kjo vlerë do të shtohej në ekonomi, do të mund të kishte një rritje të konsumit deri në 9.2 për qind”, ka thënë Rrona Zhuri, hulumtuese në GAP, sipas së cilës bashkë me këtë do të rriteshin edhe çmimet.
E përplasjet mes pushtetit dhe opozitës rreth tërheqjes së 30 për qind të kursimeve, janë bartur nga Kuvendi në këtë tryezë.
Besnik Bislimi, zëvendëskryeministër i parë i Qeverisë, ka paraqitur qëndrimin e ekzekutivit kundër prekjes së kursimeve dhe ka ironizuar me iniciuesin e nismës ligjore për këtë tërheqje nga Trusti.
“Nuk e kemi marrë ne mandatin për ta pyetur deputetin Bekim Haxhiu çka mendon ti për Trustin. Për më tepër, inflacioni është sëmundje, po është sëmundje e ekonomisë, që e zgjidhin mjekët e ekonomisë e jo mjekët e shëndetit individual. Të dal unë të jap instruksione se si duhet të kryhet një intervenim i zemrës, deputeti Haxhiu do të thoshte: po ti ke rrëshqitur krejt, se kjo është detyrë e mjekëve”, ka thënë Bislimi.
E deputeti Bekim Haxhiu ka këmbëngulur se ndryshimet ligjore që ai i ka iniciuar, nuk kanë impakt negativ në buxhet dhe i ndihmojnë ekonomisë.
“Nuk është që tash rritja e inflacionit është për shkak që ka shumë para në treg. Përkundrazi. Pra, nevoja agregate është e domosdoshme me çka do të kishte një impakt pozitiv në ekonominë e vendit, po më shumë do të kishte impakt pozitiv në jetën e qytetarëve dhe të shumë familjeve në Kosovë”, ka thënë Haxhiu.
Iniciativa për ndryshimin e Ligjit për Trustin do të diskutohet të enjten në Kuvendin e Kosovës, e krahas kësaj për këtë ditë është paralajmëruar një protestë jashtë Kuvendit, përmes së cilës do t’u kërkohet deputetëve që të votojnë lejimin e tërheqjes së kursimeve deri në 30 për qind.