Një operacion i përbashkët mes Kosovës dhe Shqipërisë është realizuar të premten në pikat kufitare mes të dyja shteteve, pas dyshimit të përfshirjes në korrupsion të më shumë se 100 policëve. Në operacionin “Pika 2”, që ishte vazhdim i atij të një muaji më parë, u arrestuan 26 policë në Kosovë e 32 në Shqipëri.
Aksioni është udhëhequr nga Prokuroria Speciale në koordinim me Inspektoratin Policor. Ndërsa arrestimet për zonën kufitare në Shqipëri i ka kryer Struktura e Posaçme Kundër Korrupsionit (SPAK).
Inspektorati Policor përmes një komunikate ka njoftuar për detajet e aksionit.
“Hetuesit e IPK-së muaj më parë kanë pranuar informacione përmes rrugëve operative lidhur me dyshimet për përfshirjen në aktivitete të kundërligjshme të disa zyrtarëve policorë të punësuar në drejtorinë rajonale kufitare ‘Perëndimi’ në Gjakovë, respektivisht në pikëkalimit kufitar në Vërmicë”, thuhet në komunikatë.
Këtij aksioni i ka paraprirë mbledhja e provave, që kryesisht janë përgjime e masa të tjera të fshehta.
Të gjithë të arrestuarit dyshohen për korrupsion, përkatësisht marrje të ryshfetit.
Komunikatë për media ka lëshuar edhe SPAK-u shqiptar. Për dallim nga informatat e lëshuara nga institucionet e Kosovës, në të është bërë e ditur koha kur ka nisur hetimi.
Prokuroria Speciale në Kosovë e edhe Qeveria vazhdimisht kanë marrë kredite për këto arrestime, por SPAK-u thotë që për këtë çështje ka pranuar një kallëzim penal pas të cilit kanë nisur hetimet.
“Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar më datë 10.11.2020 ka regjistruar procedimin penal nr.272 për kryerjen e veprës penale ‘Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike’, parashikuar nga neni 259 i Kodit Penal. Procedimi penal nr. 272/2020 ka filluar mbi bazën e materialit kallëzues të referuar nga Shërbimi për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat, mbi dyshimet për përfshirjen e disa prej punonjësve të policisë në pikën e kalimit kufitar në Morinë, në veprimtari të paligjshme”, ka bërë të ditur SPAK-u.
Në gjysmën e muajit të kaluar Policia e Kosovës arrestoi 48 policë dhe 2 doganierë në Komunën e Gjakovës dhe atë të Prizrenit, nën dyshimet për veprat penale “marrje e ryshfetit” dhe “keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”.
Sipas të dhënave të hetuesisë, ata dyshohen për marrje të ryshfetit me qëllim që t’iu mundësonin qytetarëve të ndryshëm kalimin e kufirit në mënyrë të kundërligjshme.
© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.