LAJMET E MBRËMJES

Polemikë për një postim në Twitter në raportimin e Bislimit për MSA-në e ERA 2

Në mbledhjen e Komisionit Parlamentar për Integrime, zëvendëskryeministri Besnik Bislimi është ftuar për të raportuar mbi shkallën e zbatueshmërisë së Marrëveshjes së Stabilizim-Asocimit dhe ERA 2. Porse, polemika kryesore është zhvilluar rreth përmbajtjes së një postimi në llogarinë e Bislimit në Twitter, të cilën e kishte demantuar zëvendëssekretari i Këshillit të Evropës, Bjorn Berge.

“Tweeta të tillë duhet të bëhen me aprovim të të dyja palëve, pra, nuk mundet që njëra palë të bëjë tweet pa pasur dakordimin e palës tjetër, sepse mund të ketë normalisht edhe pengesa në proces”, ka theksuar Ariana Musliu-Shoshi, deputete nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës.

E këtë vërejtje, Bislimi e ka cilësuar si kompliment.

“Për aq kohë sa ju mbeteni te presjet dhe te pikëpresjet, unë e marr këtë si kompliment, se unë e kuptoj që ju nuk po mundeni të gjeni kurrfarë gabimesh në punën tonë edhe në veprimet tona. Kështu që unë dëshiroj që të vazhdoni më këto kritika”, ka theksuar ai.

Debatet në komision kanë munguar lidhur me shkallën e realizimit të MSA-së dhe ERA 2.

Për dokumentin e fundit, i cili përmban prioritetet që dalin nga MSA-ja, numri dy i Qeverisë ka theksuar se është në realizim e sipër.
“Deri tash niveli i zbatimit është 79 nga 341 janë të zbatuara në tërësi, por në tërësi në zbatim e sipër janë 108 reforma. Me vonesa janë 105 reforma. Në të ardhmen pritet që të fillojnë 49 reforma dhe nga ato legjislative janë të zbatuara 14 nga 47”, ka bërë të ditur ai.

E, teksa ka folur për MSA-në, Bislimi ka theksuar se janë përmbushur mbi gjysma e obligimeve dhe se ka trend të mirë të përmbushjes shkaku i stabilitetit të Qeverisë.