Derisa në vendet e BE-së janë mbyllur jo vetëm televizionet, por edhe portalet e lidhura me regjimin në Rusi, Kosova nuk po arrin ta bëjë një gjë të tillë.
Në një tryezë të Komisionit për media në Kuvend u tha se kjo nuk ka precedent e as bazë ligjore dhe se duhet vendimi i gjykatës.
“Kjo është absolutisht thelbësore dhe shyqyr që e kemi një institucion që nuk e merr guximin, siç ndodh në Shqipëri ose në vende të tjera, në Turqi, ta bllokojë një faqe kur dikush mendon se ka ndonjë shkelje. Gjykata dhe vetëm gjykata duhet të vendosë kur duhet të bllokohet një faqe interneti. Ajo kompetencë i takon vetëm gjykatës. Nëse një institucion e sheh që një faqe po shpërndan propagandë dhe po bën thirrje për dhunë e të tjera, duhet me urgjencë t’i drejtohet gjykatës dhe pastaj normalisht shpresa është që ose përmes ARKEP-it. Kjo është procedurë që asnjëherë nuk është përdorur në Kosovë”, deklaroi juristja e medias, Flutura Kusari.
“Ne kemi shqyrtuar krejt kornizën tonë ligjore dhe ARKEP-i ka autorizim të kufizojë transmetimin e shërbimeve vetëm kur cenohet korniza ligjore mbi të cilën vepron ARKEP-i, e ajo është jo të bllokojë ose t’u rekomandojë ofruesve të shërbimeve se vetë ARKEP-i nuk bllokon faqe, por nuk ka as kompetencë ligjore t’u rekomandojë ofruesve të shërbimeve të internetit t’i bllokojnë, sepse përmbajtja nuk është në mesin e përgjegjësive të cilat i kontrollon dhe i mbikëqyr ARKEP-i”, tha Lule Ahmedi, anëtare e Bordit të ARKEP-it.
Por, pjesëmarrësit e kësaj tryeze kanë thënë se rregullimi i sektorit mediatik nuk mund të adresohet pa u marrë me piraterinë e IPTV-ve, me përvetësimin e paligjshëm të përmbajtjes mediatike dhe përmbushjes së pagesave nga rrjetet kabllore.
“Për operatorët kabllorë këtu, ata janë primadonat e krejt spektrit medial në Kosovë, për shkak se ata askush nuk t’i prekë. Fakti që operatorët kabllorë u përmendën si operatorë kabllorë të cilët nuk i paguajnë detyrimet të cilat i kanë me ligj, fakti që KPM-ja ua jep për të 500-tën herë shansin të konsultohen me Qeverinë se a duhet t’i paguajnë tarifat a jo, është... na falni zotërinj të KPM-së, është lëshim pe para krejt presionit të cilin mund ta bëjë cilido operator kabllor më i fuqishëm në këtë vend. Ligji është ligj, Qeveria e ka përcaktuar tarifën pasi operatorët nuk kanë mundur të merren vesh”, deklaroi drejtoresha e Grupit KOHA, Flaka Surroi.
“KPM-ja na ka ofruar në dispozicion emailat zyrtarë të personave kompetentë, ka caktuar personat kompetentë që do të merren me komunikimin me VAPIK-un, mirëpo problemi kryesor është që operatorët kabllorë refuzojnë të bëjnë pagesën. Unë i kuptoj operatorët kabllorë që shfaqin shqetësim te piratëria dhe operatorët ilegalë, mirëpo piratëri është edhe të shfrytëzosh veprat e autorëve dhe të mos paguash, i njëjti definicion”, tha Florin Lata, avokat i Shoqatës për të Drejtat Autoriale Audiovizuale (VAPIK)
Përfaqësuesit e ekspertë të mediave në këtë takim kanë kërkuar me urgjencë ndryshimin e Ligjit të KPM-së, si dhe zgjidhje efektive për përvetësimin e përmbajtjeve mediatike.