I shpejtë e i suksesshëm ka qenë rrugëtimi i filmit “Zgjoi” i Blerta Bashollit qysh në premierë botërore, kur në shkurt të këtij viti shënoi sukses të trefishtë në “Sundace Film Festival”. E Kosova me këtë film që shpalos mbijetesën mbi vragët e luftës synon edhe çmimin “Oscar”. “Zgjedhja e Kosovës që ta kandidojë filmin ‘Zgjoi’ e hap derën e parë për ne drejt ‘Oscarit’. Pra, jemi shumë të lumtur për këtë lajm dhe shpresojmë që do ta bëjmë Kosovën krenare me këtë përfaqësim”, ka thënë bashkëproducenti i filmit, Yll Uka
Plagët e thella që lufta e fundit vragoi mbi fate njerëzish dhe frymëzimi për mbijetesë ecin paralelisht në filmin “Zgjoi”. Ato nuk ndahen nga njëra-tjetra. Pikërisht me këtë rrëfim Kosova synon që të jetë pjesë e garës më të madhe në botë sa i përket kinematografisë, atë të çmimeve “Oscar”.
Të mërkurën Qendra Kinematografike e Kosovës ka bërë të ditur se “Zgjoi”, nën regji të Blerta Bashollit, është propozimi i Kosovës për kandidim. Synohet që filmi i cili ka korrur goxha suksese ndërkombëtare të nominohet në kategorinë “International Feature”. Komiteti selektues i aprovuar nga Akademia Oscars në përbërje të Antoneta Kastratit, Ilire Vincës, Kaltrina Krasniqit, Blerta Zeqirit, Alban Ukës, Samir Karahodës dhe Norika Sefës është përcaktuar që “Zgjoi” t’i hyjë edhe një tjetër sfide. Në konkurrencë ka qenë edhe filmi “Luaneshat e kodrës”, nën regji të Luana Bajramit.
Regjisori Samir Karahoda ka thënë se “Zgjoi” është një rrëfim jashtëzakonisht mirë i treguar dhe trajton një temë sa komplekse e po ashtu edhe inspiruese.
“Regjisorja nuk ekzagjeron me temat që trajton, por i mban ato në formë sa më të thjeshte dhe realiste duke na bërë ta përjetojmë ngjarjen edhe më shumë si shikues. Po ashtu, edhe aktrimi mendoj që është në nivel dhe duke u gërshetuar gjithë këto elemente mendoj që ky film i plotëson të gjitha kriteret për të qenë filmi më i mirë që përfaqëson vendin tonë në një ngjarje me rëndësi siç është ‘Oscars’”, ka thënë regjisori i cili me dokumentarin e tij “Në mes” më 2019 ia hapi dyert Kosovës në garat zyrtare të “Berlinales”, e sivjet me “Pa vend” e futi Kosovën për herë të parë në garë për “Palmën e Artë” në Festivalin e Filmit në Cannes.
Yll Uka, bashkëproducenti i filmit “Zgjoi”, ka thënë se pas suksesit në “Sundance” – ku filmi “Zgjoi” në shkurt, që në premierë botërore bëri histori duke u bërë filmi i parë i huaj që i fiton tri çmimet kryesore – dhe duke parë rëndësinë e këtij festivali nga anëtarët e Akademisë të cilët do të votojnë për “Oscars”, iu ka dhënë shpresa për nominim.
“Kurse zgjedhja e Kosovës që ta kandidojë filmin ‘Zgjoi’ e hap derën e parë për ne drejt ‘Oscarit’. Pra, jemi shumë të lumtur për këtë lajm dhe shpresojmë që do ta bëjmë Kosovën krenare me këtë përfaqësim”, ka thënë ai.
Vitin e kaluar filmit “Exile” të Visar Morinës të propozuar për “Oscar”, Qendra Kinematografike e Kosovës ia kishte ndarë 10 mijë euro për fushatë. Shuma ishte tejet e vogël në raport me kapacitetet që kanë filmat e tjerë që ia mësynë “majës” së çmimeve botërore në kinematografi.
“E vërtetë, investohet shumë në fushatë për ‘Oscar’. Ne nuk mund t’i konkurrojmë shtetet e tjera në këtë pikë. Jemi të vetëdijshëm që s’mund t’i kemi buxhetet që i kanë shumica e filmave e shteteve”, ka thënë Uka. Sipas tij, për shkak të suksesit dhe mundësive të këtij filmi që të nominohet për “Oscar” presin mbështetje nga shteti.
“Filmi do ta përfaqësojë Kosovën në fund të fundit dhe e dimë se çfarë PR-i pozitiv mund ta ketë Kosova sidomos për temën të cilën e ka ky film”, ka thënë ai.
Filmi shtjellon artistikisht historinë e vërtetë të një gruaje nga fshati Krushë e Madhe, Fahrije Hotit, e cila në film portretizohet nga aktorja e njohur Yllka Gashi.
Zhdukja e burrit të saj në luftë është fillimi i sfidave, vuajtjeve e vështirësive, përballë të cilave heroina e filmit nuk dorëzohet. Në kastin e filmit janë edhe aktorët Çun Lajçi, Aurita Agushi, Kumrije Hoxha, Adriana Matoshi, Kaona Sylejmani, Ilir Prapashtica, Molikë Maxhuni, Blerta Ismaili, Xhejlane Terbunja, Shkëlqim Islami dhe Astrit Kabashi.
Shfaqja e filmit në Kosovë muajin e kaluar ka ardhur me lajmin e mirë se filmi është përzgjedhur nga “European Film Awards”, që ndryshe njihet si ‘Oscari’ i Evropës, si një nga kandidatët për nominim për çmimet prestigjioze evropiane të kësaj akademie.
Në shkurt të këtij viti tri herë ishte dëgjuar “Hive”, titulli në anglisht i filmit “Zgjoi” të Kosovës, në ceremoninë e ndarjes së çmimeve të prestigjiozit “Sundance Film Festival”. Kishte marrë Çmimin e jurisë, atë për regjinë më të mirë (Blerta Basholli) dhe Çmimin e audiencës.
Sivjet është hera e tetë që Kosova propozon filma për “Oscars”. Më 2019, propozoi filmin “Zana”, nën regji të Antoneta Kastratit, më 2018 qe “Martesa”, nën regji të Blerta Zeqirit, “T’padashtun”, nën regji të Edon Rizvanollit më 2017, “Home Sweet Home” të Faton Bajraktarit më 2016, “Babai” i Edon Rizvanollit më 2015, dhe “Tri dritare dhe një varje” i Isa Qosjes më 2014.
Suksesi më i madh i Kosovës deri më tani drejt “Academy Awards” mbetet nominimi për “Oscars 2016” i filmit “Shok” i Jamie Donoghue në kategorinë e filmave të shkurtër.