Kulturë

“Zero Impunity”, dokumentari që bashkon animacionin me aktivizmin

Dokumentari me regji të Nicolas Blies, Stephane Hueber-Blies dhe Denis Lambert, “Zero Impunity”, vë në pah përdorimin e dhunës seksuale si mjet lufte. Përmes dëshmive të mbledhura nga gazetarë hulumtues nëpër vende të ndryshme të botës, dokumentari ka për qëllim që t’u japë zë të mbijetuarve. Përmes përdorimit të animacionit, regjisorët i sjellin më të përafërta rrëfimet. “Zero Impunity” është pjesë e programit jogarues “Feature” të “Anibarit”.

Dokumentari shfaq këndvështrime të ndryshme dhe teknika të cilat vënë në pah se sa të rënda janë këto krime për viktimat dhe familjet e tyre, por edhe për njerëzit e tjerë, shkruan KOHA.

Dokumentari errësohet edhe më shumë kur shikuesi kupton se krime të tilla - të kryera qoftë nga agresorët, apo paqeruajtësit e Kombeve të Bashkuara – nuk ndëshkohen. Dokumentari është një ndërlidhje e rrëfimeve që shpalosen me animacion dhe i veprimeve që ka marrë lëvizja “Zero Impunity”, që për qëllim ka vetëdijesimin e shoqërive.

Dokumentari i animuar, i cili zgjat 1 orë e 35 minuta, sjell rrëfime nga Siria, Ukraina, Republika Demokratike e Kongos, e Washington D.C., duke treguar se si dhuna seksuale ka qenë prezente në disa konflikte nëpër botë dhe se si ajo vazhdimisht heshtet.

“Ajo ka frikë të ulet afër një burri edhe nëse është vëllai ose gjyshi i saj, nëse unë nuk jam më të ose nëse nuk i merr ilaçet. Tregoji botës se çfarë na bëri Bashar al-Assad”, thotë në dokumentar nëna e vajzës 11-vjecare. Ajo ishte arrestuar nga ushtarët e Bashar al-Assad, ishte droguar dhe dhunuar nga të njëjtit. Kur ishte liruar, ajo ishte aq e traumatizuar saqë nuk fliste me askënd. Përkrah fatkeqësisë së saj, u stigmatizua edhe nga shoqëria që e konsideronte turp të fliste rreth asaj që ka ndodhur. “Radioactive Weapon” (Arma Radioaktive) e kanë titulluar regjisorët këtë pjesë.

Dokumentari është i ndarë në pesë kapituj. Në pjesët e tjera tregohet se si një ushtar rus e kishte dhunuar një gazetare nga Ukraina. Duke e pasur të pamundur që të ngrejë akuza në vendin e saj, Alisa vendos që të shkojë në Gjykatën Evropiane për të Drejtat e Njeriut.

Kapitujt e tjerë shfaqin abuzimet seksuale nga ushtarët amerikanë në Abu Graib, prostitucionin e vajzave të reja nga paqeruajtësit e Kombeve të Bashkuara në Republikën Demokratike të Kongos dhe dhunimet e ushtrisë së Francës në Republikën e Afrikës Qendrore. Dokumentari është i bazuar në raportimet e gazetarëve hulumtues: Leila Minano, Justine Brabant, Ilione Schultz, Delphine Bauer, Helene Molinari, Ariane Puccini, Cecile Andrzejewski, Sophie Tardy-Joubert dhe Anne-Laure Pineau.