Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Kulturë

“Zërat dhe shpresat e reja” në natën e tretë të “Kosova Kamerfest”

Prishtinë, 24 tetor – Kur të dielën mbrëma publiku është mbledhur për interpretimin e Raffaele Bertolinit në klarinetë, të gjithë kanë pritur një alamet performance. E tillë edhe u vlerësua nga të pranishmit. Edhe një ditë më pas hapja e koncertit është bërë me tingujt të klarinetës.

Por kësaj radhe interpretues ishte studenti Fisnik Shkodra. Qysh me veprën e parë i shoqëruar nga Dea Bajrami në piano, dyshja ka bërë për vete publikun, teksa e ka dërguar në një udhëtim të larmishëm muzikor. Në koncertin e titulluar “Zërat dhe shpresat e reja” në kuadër të edicionit të sivjetmë “Kosova Kamerfest”, të pranishmit që kanë mbushur sallën plot janë njoftuar me të rinjtë premtues në fushën e muzikës. Me një repertor sfidues, dyshja në klarinetë e piano dhe tenori Granit Musliu i shoqëruar në piano nga Agron Shujaku kanë shpalosur potencialin e tyre në festivalin që sivjet shënon edicionin e 19-të.

Shkodra e Bajrami e kanë nisur interpretimin me veprën e Karol Kurpinskit, “Koncert për klarinetë në B-dur”. Ka qenë si një paralajmërim i potencialit të tyre interpretues. Duartrokitja e gjatë pas përfundimit të veprës ka qenë dëshmi e nivelit profesional dhe entuziazmit të tyre si muzikantë të rinj.

Katërshja e mbrëmjes të së hënës janë laureatë të edicionit të vitit të kaluar të garës “ArsKosova 2018”. Pjesëmarrja në këtë festival për ta është një mundësi tejet e mirë për t’u përballur me publikun.

Pas klarinetës dhe pianos, ka qenë radha e tenorit të ri, Granit Musliu, dhe pianistit Agron Shujaku.

E organizatorja e Festivalit, violinistja Sihana Badivuku, ka thënë se si “Kosova Kamerfest” kanë menduar që të rinjve duhet t’u jepet mundësi jo vetëm në këtë edicion, por edhe në të tjerët. Sipas saj, nëpërmjet garës “ArsKosova” të rinjtë sfidohen dhe motivohen për punën që bëjnë, kurse Festivali është një mundësi e mirë që ata ta dëshmojnë veten përballë publikut (gjerësisht, sot në “Kohën Ditore”).