Kulturë

Zenun Çelaj me 37 rrëfime autentike që pasqyrojnë jetën e shqiptarëve

Në 318 faqe “Udhëtim në të shkuarën”, botuar vitin e kaluar nga Botimet KOHA, Çelaj ka rrëfyer jetën e tij, por edhe dekadat e Kosovës e Malit të Zi prej fëmijërisë e deri në ditëlindjen e 80-të. Libri i promovuar të enjten në Gjakovë, është cilësuar si vepër e një kronisti të mprehtë, dëshmitar i rrallë ngjarjesh historike e që kapitujt e rrugëtimit të tij, janë dëshmi e jetës së shqiptarëve në ish-Jugosllavi. “Libri nuk përmban asgjë nga imagjinata ime. Gjithçka është reale që më ka ndodhur dhe më ka mbetur në kujtesë”, ka thënë gazetari veteran

Në vitin 1957 ishte nxënës i Normales së Gjakovës. Prej asaj kohe lidhjen me këtë qytet do ta kishte të veçantë. Gazetari veteran Zenun Çelaj i është rikthyer këtij qyteti edhe të enjten. Por kësaj radhe me një tjetër rol: atë të autorit të librit “Udhëtim në të shkuarën”. Pas 64 vjetësh prej kur ishte normalist, në qytetin jugperëndimor dhe në krejt Kosovën janë zhvilluar shumë ngjarje. Ka pasur agresivitet të vazhdueshëm nga pushteti serb, autonomi, suprimim të saj, shpallje të Republikës, luftë, liri e pavarësi.

Çelaj si kronist pendëmprehtë për gjashtë dekada nuk i është ndarë profesionit të gazetarit. Si dëshmitar aktiv i ngjarjeve prej vitit 1960, gazetar, reporter i lirë, redaktor e ndihmëskryeredaktor i “Rilindjes” jo veç artikujt, por edhe kujtimet i ka të panumërta. Angazhimi i tij në themelim të mediave të tjera e deri tek ai si një ndër themeluesit e sekretar i Këshillit për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut veçse ia kanë pasuruar karrierën dhe kujtesën.

Image
“Libri nuk përmban asgjë nga imagjinata ime. Gjithçka është reale që më ka ndodhur dhe më ka mbetur në kujtesë”, ka thënë Çelaj për “Udhëtim në të shkuarën”

Gjithçka reale që ka lënë shenjë në kujtesë

Në 318 faqe libër të titulluar “Udhëtim në të shkuarën”, botuar vitin e kaluar nga Botimet KOHA, Çelaj ka rrëfyer jetën e tij, por edhe dekadat e Kosovës e Malit të Zi prej fëmijërisë e deri në ditëlindjen e 80-të. Si kronist detajist, ai shpalos jetën në Vuthaj, vendlindjen, rrugëtimin për shkollim, punën si gazetar e pozita të tjera që ka pasur. Një pjesë e rëndësishme e historisë së Kosovës zë vend aty në sytë e një reporteri.

“Libri nuk përmban asgjë nga imagjinata ime. Gjithçka është reale që më ka ndodhur dhe më ka mbetur në kujtesë”, ka thënë ai në ceremoninë e promovimit të librit të mbajtur të enjten në Gjakovë në Pallatin e Kulturës “Asim Vokshi”, të organizuar nga shoqata e intelektualëve “Jakova”.

Në cilësinë e redaktores dhe botueses, drejtoresha menaxhuese e Grupit KOHA, Flaka Surroi, ka thënë se Çelaj vendosi që kronologjinë e jetës së tij personale e profesionale ta ndërtonte mbi 37 rrëfime që në një formë shumë autentike e pasqyrojnë jetën e shqiptarëve në ish-Jugosllavi, me theks të veçantë në Mal të Zi e Kosovë. Sipas saj, nëpërmjet fëmijërisë së tij, Çelaj tregon se të ishe shqiptar në Mal të Zi e të kishe synime për një perspektivë sado të vogël, duheshe asimiluar. Ajo ka treguar se Çelaj me përshkrime shumë të bukura dhe aspak patetike, flet për Bjeshkët e Nemuna që ai i quan Bjeshkë të bekuara.

“Shtegtimi i tij për ta kryer Normalen, ishte sikur ta shikoje një serial filmik në shumë vazhdime. Nisja e parë për në Pejë, heqja dorë për shkak të kushteve financiare, e më pas kthimi për shkak të trysnisë shumë të mençur nga vëllai i madh, ia hapi rrugën tutje për në Gjakovë, Prizren e më pas përfundimisht edhe Prishtinë”, ka thënë Surroi. Ka treguar se Çelaj rrëfen se ëndërronte të bëhej mësimdhënës, por prej vitit 1960 nisi të punojë si gazetar.

Surroi: “Rrëfimi i Zenunit është i veçantë”

Image
Në cilësinë e redaktores dhe botueses, drejtoresha menaxhuese e Grupit KOHA, Flaka Surroi, ka thënë se Çelaj vendosi që kronologjinë e jetës së tij personale e profesionale ta ndërtonte mbi 37 rrëfime, që në një formë shumë autentike e pasqyrojnë jetën e shqiptarëve në ish-Jugosllavi, me theks të veçantë në Mal të Zi e Kosovë

“Gazetaria ia ofroi mundësinë e të qenët dëshmitar i ngjarjeve që do ta shënonin historinë bashkëkohore kosovare, pjesë të së cilës do ta përjetonim bashkë, duke punuar në Këshill e më pas edhe në KOHË”, ka thënë ajo. Ka përshkruar jetën e tij si të një gazetari që pas Plenumit të Brioneve, do të ishte dëshmitar okular i demonstratave të 1968-s, e më pas edhe kërkesave të hapura për Kosovën Republikë.

“E me detaje edhe më të thukëta, e sjell kujtesën e debateve të instancave politike për keqtrajtimet që u ishin bërë shqiptarëve nga UDBA - praktikë e cila ndërroi formë e emër, por nuk u ndal në asnjë çast deri në përfundimin e luftës së Kosovës më 1999”, ka thënë ajo derisa ka treguar se Çelaj ishte edhe dëshmitar e kronist i demonstratave të 1981-s. Por në këtë rast, sipas Surroit, për shkak të komenteve që u cilësuan të mos ishin në linjë me politikën zyrtare, do t’i ndalohej shkrimi në gazetë për një kohë.

“Po të njëjtën gjë do ta përjetonte më 1988 e 1989, për shkak se atëherë u arrit pika e vlimit e protestave kundër lëvizjes shoviniste, që çoi te shuarja e autonomisë dhe në fund te lufta. Porse para saj, do të ishte dëshmitar i rrallë i grevës historike së minatorëve të ‘Trepçës’ në shkurt të 1989-s, për të cilën gjë do të burgosej e akuzohej për nxitje të veprimtarisë armiqësore”, ka thënë ajo. Ka treguar se fundi i 1989-s Çelajn do ta gjente të angazhuar në themelimin e LDK-së dhe të KMLDNJ-së. Më tej ka sqaruar se Çelaj qe dëshmitar edhe i Deklaratës Kushtetuese të 2 korrikut, ngjarje që njësoj e përshkruan si nëpër filma, dhe përfundimisht, i vetmi gazetar që përcolli shpalljen e Kushtetutës së Kaçanikut më 7 shtator 1990.

“Versione për ngjarjen kemi dëgjuar mjaft, porse rrëfimi i Zenunit është i veçantë. Është i gazetarit që raporton, kësaj radhe edhe me emocion”, ka thënë ajo. Ditari i luftës që përfshihet në libër, sipas saj, është një rrëfim në vete.

Të pranishmëve të shumtë në atë që njihet si “salla solemne” në “Asim Vokshi” iu ka treguar se “Udhëtimi në të shkuarën” përmbyllet me një notë proteste për ofendimin më të madh që ka përjetuar kur një ish-deputet derisa po e mbante atë pozitë kishte ngritur kallëzim penal kundër Çelajt me akuzën se ai paskësh qenë bashkëpunëtor i UDB-së. Bëhet fjalë për Nait Hasanin ndaj të cilit Çelaj ka hapur edhe procedurë gjyqësore. “Procedura gjyqësore ende vazhdon. Mos u mërzit Zenun, edhe nja dhjetë vjet e presim aktgjykimin dhe rrugës ta festojmë ditëlindjen e 91-të”, ka thënë Surroi duke ironizuar me sistemin e drejtësisë në Kosovë.

Sefa: “Duke e lexuar librin e kam parë veten, Gjakovën...”

Image
Kryetari i shoqatës së intelektualëve të Gjakovës “Jakova”, Ruzhdi Sefa, i ka ndarë Çelajt Mirënjohje. “Mirënjohje për gazetarin dhe publicistin Zenun Çelaj për librin ‘Udhëtim në të shkuarën’, në të cilin paraqiten me një realizëm të dalluar ngjarje me njerëz nga Gjakova e më gjerë që kanë qenë pjesë e rrugëtimit jetësor të autorit”, shkruhet në motivacionin e saj. “Jakova” me Mirënjohje ka nderuar edhe Flaka Surroin, “për angazhimin e pareshtur që të përçojë të vërtetën nëpërmjet një niveli të lartë intelektual”

Kryetari i shoqatës së intelektualëve të Gjakovës “Jakova”, Ruzhdi Sefa, në ceremoninë ku në kitarë ka luajtur nxënësi Lindi Rudi, ka folur për arsyen e promovimit të librit në Gjakovë.

“Nuk është thjesht një promovim, por edhe debat me shkas. Duke e lexuar librin e kam parë veten, Gjakovën, personazhet që ishin pjesë e rrugëtimit të gazetarit e publicistit Zenun Çelaj”, ka thënë ai në ceremoninë e moderuar nga Liliana Pylla, e cila edhe ka lexuar pjesë nga libri. Shoqata nikoqire ka ndarë edhe një Mirënjohje për Çelajn, i cili për më shumë se një dekadë ishte kryeredaktor i portalit “Koha.net”. Mirënjohja i është ndarë me motivacionin: “Mirënjohje për gazetarin dhe publicistin Zenun Çelaj për librin ‘Udhëtim në të shkuarën’, në të cilin paraqiten me një realizëm të dalluar ngjarje me njerëz nga Gjakova e më gjerë që kanë qenë pjesë e rrugëtimit jetësor të autorit”. Kjo shoqatë me Mirënjohje ka nderuar edhe Flaka Surroin “për angazhimin e pareshtur që të përçojë të vërtetën nëpërmjet një niveli të lartë intelektual”.

Ish-deputetja e Kuvendit të Kosovës, Mevlude Saraçi, ka kujtuar kohën kur Çelajn e njihte nëpërmjet gazetës së vetme shqipe në vend, “Rilindjes”. Ajo ka thënë se Çelaj me kolegë kanë bërë punë tejet përmbajtjesore. “Kosovën e ka njohur bota nëpërmjet mediave”, ka thënë ajo.

Vetë Çelaj, ishte fjalëshkurtër e brenda modestisë që ia njohin ata që punuan me të.

“Nuk e kam pritur këtë event sidomos në këto rrethana me pandeminë dhe situata të tjera të cilat po i kalon vendi. Më mbetet t’ju falënderoj për dhuratën që ma keni bërë dhe për mua është diçka që nuk matet”, ka thënë gazetari veteran, i cili pos raporteve gazetareske e shumë të tjerave në mbrojtje të lirive dhe të drejtave të njeriut, për lexuesit në librin e tij ka rrumbullakuar edhe një pjesë të historisë dramatike të këtyre anëve. Këtë e ka bërë si një kronist që gazetarinë nuk e ka veç profesion, por mision fisnik.