Kulturë

Zemra e Berlinit në ritmin e kulturës së Kosovës

Zemra e Berlinit në ritmin e kulturës së Kosovës

“Zemra e Berlinit do të rrahë në ritmin e kulturës kosovare”, është vetëm një pjesë e paralajmërimit dhe programi i afishuar tashmë është dëshmi për këtë. “Java e Kulturës në Berlin” është gati për edicionin e tretë, vjen në format të zgjeruar. Do të mbahet prej 9 deri më 17 qershor. Meqë “Java...” lidhet direkt më 12 qershorin, Dita e Çlirimit, sigurisht se ajo datë do të përfshihet brenda javës, e në këtë edicion, meqë programi do të jetë më i gjerë, nuk do të mjaftojë shtatëditëshi në kuptimin kalendarik.

Zgjerimi i programit rrjedh nga mundësia që i jepet Kosovës për të promovuar vlerat e veta kulturore, ndonëse një vend i vogël, ajo ka shumëçka për të prezantuar. 

Organizuar nga Ambasada e Kosovës në Gjermani, me mbështetjen e Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës të Kosovës, ky organizim do të shfaqë para syve ekspozita, filma, koncerte të muzikës shqiptare, e promovime librash të autorëve shqiptarë, ngaqë në Gjermani nuk synohet të ruhet vetëm raporti diplomatik, ekonomik e politik dhe të bëhen investime në këto fusha, por gjithashtu investohet edhe në aspektin kulturor. Me rritjen e talenteve kosovare në fusha të ndryshme, veçanërisht në kulturë, ndihet si obligim që këto thesare kulturore të paraqiten jo vetëm përballë miqve gjermanë, por edhe atyre ndërkombëtarë që jetojnë dhe veprojnë në Berlin. 

Ambasadori i Kosovës në Berlin, Faruk Ajeti, ka bërë thirrje për pjesëmarrje në këtë organizim, duke e quajtur atë “mozaik të gjallë me aktivitete”.

“Këtë qershor, zemra e Berlinit do të rrahë në ritmin e kulturës kosovare. Gjatë këtyre nëntë ditëve do të mund të përjetoni një mozaik të gjallë aktivitetesh: nga koncertet dhe shfaqjet filmike, tek ekspozitat fotografike, prezantimet letrare, ngjarjet sportive e deri te bisedat frymëzuese me artistë, regjisorë, sportistë dhe përfaqësues të diasporës sonë”, ka shkruar ambasadori Faruk Ajeti në një postim në rrjete sociale teksa ka shpërndarë edhe programin. 

Audienca e “Javës...” nuk përbëhet vetëm nga mërgata shqiptare atje. Në secilin aktivitet do të marrin pjesë anëtarë të misioneve të ndryshme diplomatike në Berlin, të institucioneve të ndryshme gjermane, nga ekzekutivi, Bundestagu, parlamentet e landeve, por edhe nga organizatat e tjera që në çfarëdo mënyre kanë qenë ose janë të lidhura me Kosovën, por edhe me mërgatën. 
Sipas ambasadorit, përmes kësaj do të ndërtohet një urë mes Kosovës dhe miqve të saj ndërkombëtarë.

“Java e Kulturës nuk është vetëm një kalendar eventesh – është një ftesë për të paraqitur thesarin tonë kulturor, për të ndarë historitë tona dhe për të festuar fuqinë e krijimtarisë që na bashkon. Një urë mes së kaluarës dhe së ardhmes, mes Kosovës dhe miqve tanë gjermanë dhe ndërkombëtarë”, ka shtuar ai në postim.

Në ditën e parë të kësaj ngjarjeje, në “Koenigsallee” brenda Ambasadës së Kosovës në Berlin do të paraqitet një ekspozitë fotografike me titullin “Pasqyrimi i masakrave dhe krimeve të tjera të luftës nga lufta e fundit në Kosovë”, me organizim të organizatës joqeveritare “For New Life Kosovo” dhe Këshillit Koordinues të Shoqatave Familjare të të Zhdukurve nga Kosova, e të nesërmen do të shfaqet para audiencës filmi “The Albanian Virgin”, organizuar nga “Marrja e Zezë” dhe pas filmit do të ketë koncert nga Agona Shporta, Arbëresha Latifaj dhe Igor Yakovenko.

Në mbrëmjen e ditës së tretë do të ketë koncert nga grupi “Asgjë Sikur Dielli” (Alban Nimani) dhe Dren Abazi në ambientet e “Kesselhaus” në Berlin. Dita e katërt do të sjellë diçka më ndryshe: në ndërtesën ku dikur ishte Qeveria në Mërgim e Republikës së Kosovës, në Bon, do të vendoset një pllakë përkujtimore. Fill pas saj, në ditën e pestë do të ketë turne futbolli me klubet sportive të diasporës, organizuar nga “FC Liria” Berlin, e po atë mbrëmje, me organizim të Qendrës Kinematografike të Kosovës, do të jepen filma të metrazhit të shkurtër nga regjisorë shqiptarë. Filmat që do të shfaqen janë: “Mua besoj më shpëtoi portreti” nga Alban Muja, “Return” i Blerta Zeqirit, “Ferdonija” nga Gazmend Bajri dhe Shkurte Dauti, si dhe “Pa vend” i Samir Karahodës dhe pas filmave do të ketë edhe bashkëbisedim me autorët.

Më 16 qershor do të ketë një ekspozitë arti nga piktori Sal Dashi me temën “Mes nostalgjisë dhe revoltës” brenda sallave të Ambasadës, e më datën 17, e cila do të jetë edhe e fundit, në ambientet e Universitetit të Humboldtit do të promovohet libri nga studiuesja Lumnije Kadriu, me organizim nga vetë universiteti dhe Shoqata për Evropën Juglindore.

Diplomacia kulturore është edhe një nga prioritetet e përfaqësuesve të Kosovës në Gjermani, ngaqë shkëmbimet kulturore dita-ditës po rriten, e para sepse në Gjermani janë tri universitete gjermane ku gjuha shqipe ofrohet si modul zgjedhor, jo vetëm për studentët gjermanë, por edhe për ata që janë fëmijë të të mërguarve kosovarë atje. Ambasada ka bashkëpunim me Universitetin e Humboldtit, që brenda vitit të paktën dhjetë autorë kosovarë ose vepra të tyre t’i prezantojnë dhe t’i promovojnë në Berlin. 

Numri i komunitetit të artistëve kosovarë që jetojnë në Berlin është rreth 30. Në fillim të këtij viti, Ambasada pati organizuar një darkë pune në kuadër të festivalit të filmit në Berlin “Berlinale”, ku kanë qenë të ftuar kryeministri Albin Kurti dhe artistët e aktorët e kulturës jo vetëm nga Kosova, por edhe nga Shqipëria, Maqedonia e Veriut, Lugina e Preshevës dhe nga Mali i Zi, me idenë që të bëhet një “flluskë” kulturore, bashkë me atë të krijohet një lloj kalendari i përvitshëm kulturor, ku përfaqësuesit e institucioneve fuqizojnë bashkëpunimin me artistët.