Para 200 vjetësh u lind në Shkodër. Njihet si shkrimtar, ekonomist, etnolog e gazetar. Zef Jubani jetoi e punoi në Shkodër, por lëvizte shumë, sidomos në Trieste të Italisë. Gjurmimit të historisë së tij ia ka mësyrë pikërisht një studiues nga Triesta, Paolo Muner, ushtarak karriere që ka shërbyer edhe në Shqipëri. Pas shërbimit të rregullt në ushtri i ka hyrë punës për të hulumtuar për shqiptarët. Në ligjëratën e tij “Zef Jubani, shkodran, apo Giuseppe Jubany, triestin?”, të enjten në Bibliotekën Kombëtar të Kosovës ai ka shpalosur disa nga gjetjet për shkodranin me nam.
Muner ka thënë se disa vjet më parë kishte vizituar disa familje shqiptare në Trieste. Ndër to edhe familjen Ujka, shkruan sot Koha Ditore.
“Antal Ujka më ka pritur shumë mirë në shtëpinë e tij të bukur. Emri Antal që është në hungarisht i bie Antonio”, ka shpjeguar Muner në shqip.
Ka thënë se në këtë familje një mur ishte përplot me relikte nga atdheu i parë. Midis tyre edhe një portret i bukur i Zef Jubanit me një fes vishnje në kokë që i shkonte fort kohës së tij. Antal Ujka e llogarit si katragjysh Jubanin.
“Sipas Antalit, origjina e tij ishte venedikase. Mbiemri i parë, sipas tij, është Jubani”, ka thënë ai. Për Muner ekziston kjo hipotezë se familja Jubani ishte zhvendosur nga Venediku në Shkodër. Në këtë rast përmend disa raste për të cilat ka dëshmi. Një prej tyre historia e Pjetër Marubit. Por Muneri nuk gjen ngjashmëri me rastin e Jubanëve. Ai ka thënë se mbiemri mund të jetë vetëm një llagap që buron nga fshati Juban pak kilometra në juglindje të Shkodrës. (Më gjerësisht mund të lexoni sot në Koha Ditore).