Shtojca për Kulturë

Diplomati austriak i përkushtuar ndaj çështjes shqiptare

Ippeni me veshje kombëtare shqiptare fotografuar në Shkodër nga Pietro Marubi rreth vitit 1900

Ippeni me veshje kombëtare shqiptare fotografuar në Shkodër nga Pietro Marubi rreth vitit 1900

Në shekullin XIX konsuj të ndryshëm si përfaqësues të vendeve evropiane përveç misionit të tyre profesional kanë shfrytëzuar qëndrimin e tyre në hapësirën etnogjeografike shqiptare edhe për të publikuar shënimet dhe përshkrimet e udhëtimeve të tyre, që janë më vlerë shumëdimensionale për botën shqiptare. Cekim me këtë rast Johann Georg von Hanh, konsulli i Austro-Hungarisë në Janinë, A. Degrand, konsulli francez në Shkodër, H. Hecquard, konsulli francez në Shkodër, F.C.H.L. Pouqueville, konsulli francez në Janinë, L. S. Leake, konsulli anglez në Janinë, L. S. Jastrebov, konsulli rus në Prizren etj. Në plejaden e personaliteteve të tilla bën pjesë edhe Theodor Ippen (1861-1935), ish-konsull i Austro-Hungarisë në Shkodër (1897-1904), ku përveç shërbimit diplomatik ka qenë i përkushtuar edhe për çështjen shqiptare

Në lidhje mbi jetën dhe veprimtarinë e personaliteteve të ndryshme në mjediset përkatëse janë botuar studime e botime të veçanta, duke vlerësuar angazhimin e tyre shoqëror dhe profesional. Por, jo të gjithë kanë pasur një fat të tillë, sepse ka edhe përjashtime ku i tillë ishte Theodor Ippen, i cili pavarësisht së ishte diplomat me autoritet i perandorisë, pas vdekjes së tij ka munguar interesimi i institucioneve dhe studiuesve të ndryshëm për të trajtuar jetën dhe veprimtarinë e tij.

Por, në këtë aspekt përjashtim bën Annelise Wernicke, e cila 32 vjet pas vdekjes së tij, në vitin 1967, botoi monografinë Theodor Anton Ippen, Wiesbaden, 1967, duke qenë e vetmja deri në ditët tona, ndërsa në shqip na vjen me titull “Teodor Ipen dhe Shqipëria në Fokusin e Perandorisë Austrohungareze”, “Plejad”, Tiranë, 2012, përkthyer nga gjermanishtja nga Eridan Imami.

Në fillim autorja prezanton biografinë e Ipenit, duke vazhduar me aktivitetin e tij si konsull i përgjithshëm në Shkodër (1897-1904) dhe si këshilltar i Austro-Hungarisë në Konferencën e Ambasadorëve në Londër, duke e përmbyllur me veprimtarinë e tij shkencore.

Diplomacia si mision jetësor

Ipeni ka lindur më 29 nëntor 1861 në Sezmice të Bohemisë e cila atëherë ishte në kuadër të Perandorisë së Austro-Hungarisë. Ndonëse rridhte prej një familje me origjinë hebraike, ai është pagëzuar si katolik. Pasi ka përfunduar gjimnazin në Pragë, ka ndjekur studimet universitare për orientalistikë në Akademinë e Vjenës, ku u diplomua në vitin 1884. Qysh gjatë kohës së studimeve ai ka filluar përgatitjen e tij ushtarake, duke marrë gradën lejtënant në rezervë. Ishte njohës i gjuhëve të huaja si çekisht, rusisht, frëngjisht dhe gjermanisht.

Pas përfundimit të studimeve, ai dha me sukses provimin konsullor, duke marrë gradën e ndihmëskonsullit, më 4 shtator 1884, ku më pas u vendos në Shkodër, ku nga viti 1885, ishte i punësuar në konsullatën austro-hungareze. Por këtu nuk qëndroi gjatë, sepse në vitin 1887 është transferuar në Plevlë, duke zëvendësuar konsullin austro-hungarez Ritter von Mayer. Gjatë qëndrimit në Plevle udhëtoi në brendësi të vendit, ku përshtypjet e udhëtimeve të tilla të cilat kishin të bënin kryesisht me gjeografinë e etnografinë i ka botuar në librin “Novi Pazar und Kosova” (Novipazari dhe Kosova) në vitin 1892.

Në vitin 1891 Ipen transferohet si nënkonsull në Konsullatën e Kostandinopojës, ku si njohës i mirë i marrëdhënieve që kishin të bënin me shqiptarët kreu atje edhe funksionin e këshilltarit për çështjet shqiptare. Me pas në vitin 1894 u emërua nga Ministria e Jashtme, konsull në Jerusalem. Ndërsa nga viti 1897-1904 ka qenë konsull i Perandorisë në Shkodër. Me pas në vitin 1911 punësohet në Ministrinë e Jashtme, ku nga dhjetori 1912 deri në gusht 1913 ka qenë këshilltar politik në Konferencën e Ambasadorëve në Londër.

Gjatë Luftës së Parë Botërore, Ipeni është marrë më tepër në frontin jugperëndimor në Itali të Veriut, ndërsa me krijimin e Republikës së parë austriake ishte nder funksionarët më të lartë të Ministrisë së Jashtme, duke luajtur për një periudhë të shkurtër rolin e ministrit gjatë bisedimeve për paqe në vitin 1920. Në vitin 1921 del në pension, por ka vazhduar të jetë aktiv në “Komisionin ndërkombëtar për Danubin”. Vdiq me 31 janar 1935 në Vjenë.

Theodor Ippen, i cili pavarësisht se ishte diplomat me autoritet i perandorisë, pas vdekjes Theodor Ippenit ka munguar interesimi i institucioneve dhe studiuesve të ndryshëm për të trajtuar jetën dhe veprimtarinë e tij. Përjashtim bën Annelise Wernicke, e cila 32 vjet pas vdekjes së tij, në vitin 1967, botoi monografinë “Theodor Anton Ippen”, Wiesbaden, 1967, duke qenë e vetmja deri në ditët tona, ndërsa në shqip na vjen me titull “Teodor Ipen dhe Shqipëria në Fokusin e Perandorisë Austrohungareze”

Konsullata në Shkodër me mision të veçantë

Se çështja shqiptare ishte në fokusin e Perandorisë Austro-Hungareze, dëshmohet në vitin 1896, kur Ministria e Jashtme ndërmori një aksion energjik lidhur me Shqipërinë, duke nxitur një plejadë studiuesish si historianë, gjeografë, etnografë, gjuhëtarë, arkeologë e të tjerë që të merren me Shqipërinë. Ajo ndikoi që të botohen gramatika e fjalor të gjuhës shqipe, të shkollohen studentë shqiptarë në Vjenë, Grac e Insbruk, të përkrahin deri edhe përcaktimin e alfabetit të shqipes, ose si gjuhë zyrtare të shtetit të ri shqiptar. Dhe për të realizuar këto objektiva, asaj i nevojitej një konsullatë më përbërje sa më të mirë, me individë qe njihnin mirë rrethanat shqiptare, vendin, popullin e gjuhën shqipe. Pikërisht i tillë ishte Teodor Ipeni, i cili nga viti 1897-1904, ishte konsull i Përgjithshëm i Perandorisë Austro-Hungareze në Shkodër. Në këtë rast, ai nuk po niste një detyrë të panjohur, sepse nga viti 1884-1887, kishte qenë i aktivizuar si punonjës i kësaj konsullate. Në këtë veprimtari Ipeni është ballafaquar me vështirësi dhe intriga të pushtetit të kohës, duke dëshmuar përkushtim profesional dhe guximin personal, në favor të politikës së perandorisë qe e përfaqësonte por edhe të identitetit kombëtar shqiptar.

Këshilltar në Konferencën e Ambasadorëve

Në sajë të angazhimit, përvojës e profesionalizmit të dëshmuar, nga nëntori i vitit 1911 punoi në Ministrinë e Jashtme në Vjenë. Në këtë kohë, përkatësisht nga tetori i vitit 1912 shpërthyen luftërat ballkanike të cilat si mision kishin pushtimin e aneksimin e viseve të hapësirës etnogjeografike shqiptare, ndërsa nga 17 dhjetori i këtij viti filloi punimet Konferenca e Ambasadorëve në Londër ku u vendos fati i Shqipërisë, Ipeni ishte në rolin e këshilltarit ambasadorit austriak kontit Mensdorff, ndërsa ministër i jashtëm ishte z. Berthold. Dhe këtë rol (dhjetor 1912 – gusht 1913) ai e ka luajtur më së miri në sajë të përgatitjes e guximit të dëshmuar duke dhënë informacione të nevojshme në lidhje mbi shtrirjen e vendbanimeve dhe popullsisë shqiptare ku kishte përgatitur enkas edhe hartat gjeo-demografike.

Ai në veçanti është angazhuar për përfshirjen e Shkodrës brenda shtetit të ri – Shqipërisë, e gjithashtu edhe të Gjakovës e Dibrës, por fatkeqësisht në sajë të intrigave të Fuqive të Mëdha ata mbetën jashtë Shqipërisë. Njihet tashme roli dhe angazhimi i Austro-Hungarisë për pavarësinë e Shqipërisë, ku duke iu falënderuar atyre, ndonëse e cunguar, është kjo hartë politike e shtetit shqiptar. Në këtë konferencë Ipeni ishte i vetmi specialist dhe njohës i çështjes shqiptare, ndërsa të gjithë pjesëmarrësit e tjerë kanë qenë politikanë ose diplomatë, që vepronin sipas diktateve politike.

Veprimtaria shkencore

Gjatë qëndrimit si konsull i përgjithshëm i Austro-Hungarisë në Shkodër përveç aktivitetit për të zbatuar politikën austriake, konsulli Ipen nuk ishte statik, por ka udhëtuar veçanërisht në viset veriore të Shqipërisë, udhëtime që ndikuan tek ai për të thelluar njohurit dhe simpatinë për Shqipërinë dhe popullin shqiptar.

Në udhëtimet e tilla ai ka mbledhur shënime ku më pas i ka botuar në revista apo botime të veçanta. Në sajë të kontributit të tillë ai me të drejtë cilësohet edhe si albanolog, që dëshmohet përmes botimeve shkencore siç janë: “Rrënoja të kishave të vjetra në Shqipëri” (1899); “Monumente të vjetra në Shqipëri” (1900); “Shcypnia: t'gnoftmé dhé shkrimtaré: t'shtumuna e t'nnrécuna” (1902); “Përmendore të grupmoshave të ndryshme në Shqipëri” (1907); “Shkodra dhe sipërfaqja bregdetare e Shqipërisë veriore” (1907); “Malet e Shqipërisë veri-perëndimore” (1908); “Krahina e Shpatit në Shqipërinë e Mesme” (1916); “Dy episode të historisë së Shqipërisë” (1927); “Kontribut për historinë e brendshme të Shqipërisë në shekullin XlX” (1939); “Shqipëria e vjetër : studime gjeografike, etnografike, historike” (2002) e të tjera.

Ndonëse vepra e tij nuk paraqet ndonjë studim gjithëpërfshirës, kërkimet e tij janë të veçanta, përmbajnë materiale të çmuara për hapësirën etnogjeografike shqiptare si në fushën e historisë, gjeografisë, etnografisë, arkeologjisë, ekonomisë dhe besimit fetar.

Ipenit, vendin që e meriton

Vetëm pasi të lexohet ky libër kushtuar diplomatit dhe studiuesit austriak, nuk ka dilemë se atij duhet dhënë vendin që e meriton te ne shqiptarët, duke bërë pjesë në radhën e albanologëve të njohur austro-hungarezë që fillon me Johann Georg von Hahn e vijon me Gustav Meyer, Karl Hopf, Franz Nopsca, Milan Šufflay, Gustav Weigand, Norbert Jokl e të tjerë.

Përveç botimeve të ndryshme në lidhje me shqiptarët dhe hapësirën e tyre etnogjeografike, ai njëherësh ishte i vetmi ekspert i çështjes shqiptare në Konferencën e Ambasadorëve në Londër(1912/13) duke dhënë kontributin e veçantë në mbetjen e Shkodrës në kuadër të Shqipërisë.

Në sajë të konsideratës për angazhimin dhe kontributin e dhënë për çështjen kombëtare shqiptare në vitin 1932 Mbreti i Shqiptarëve Zogu I e dekreton me “Urdhrin e Skënderbeut”.

Por duke marrë parasysh përkushtimin e tij ndaj çështjes shqiptare është e pakuptueshme që udhëheqësit shqiptarë mbas vitit 1945 e kanë mbajtur në heshtje një personalitet të tillë, por edhe pas shembjes së sistemit komunist (1991) nuk kanë treguar interesimin e duhur për t’i dhënë vendin qe e meriton, duke marrë parasysh faktin se politika e Perandorisë së Austro-Hungarisë ishte vendimtare në mbështetjen e Pavarësisë së Shqipërisë.

Në nderim të emrit dhe veprimtarisë së tij për çështjen shqiptare e në mënyrë të veçantë për Shkodrën mendoj se është në nderin e Bashkisë së Shkodrës që emri i tij të përjetësohet në bust, apo emërtimi i një rruge apo sheshi si dëshmi e vlerësimit të meritokracisë si kudo në vendet demokratike.