Kur në prill 2018 gjurmova si zakonisht nëpër librari në Kosovë, papritmas më ra në dorë libri me aforizma i Roland Spahiut me titullin “Zbrazëti". Fillova ta shfletoja atë, u ndala në faqe të veçanta të librit dhe u magjepsa i tëri: Një shkrimtar i ri arriti t’u bënte vend mendimeve të mia duke kursyer mendimet e tij dhe duke hapur kështu një gjerësi të paimagjinuar të mendimit.
Çelësi për të kuptuar këtë libër të hollë me aforizma është në mes të tij: Në faqen 66 autori pyet me pak fjalë: “A është boshllëku im plotësia ime?” Dhe në dy faqet në vijim gjendet teksti më i gjatë i bashkëngjitur në libër, në të cilin një traktat i shkurtër filozofik flet për agnozinë, kufizimin e njohurive dhe dijeve tona, që kjo agnozi nuk mund të jetë fillimi ose fundi i të filozofuarit. Aty e kemi, përsëri, paraqitjen e broshurës së aforizmit: Mendimet nuk janë mbushur në qoshe dhe faqe të përcaktuara qartë me fillim dhe fund. Ato janë të hapura nga të gjitha anët, lart dhe poshtë, majtas dhe djathtas, shkruan sot Koha Ditore.
Boshllëku i librit të aforizmave tërheq vëmendjen edhe nga jashtë: shumica e faqeve janë bosh. Kjo i bën ato pak fjalë që mund të lexohen në një faqe edhe më kuptimplote. Ka aforizma që nuk lënë asgjë më shumë për të dëshiruar në veçantinë e tyre, siç është rasti për shembull në faqen 10: “Ideologjitë janë mendime të ngrira”. Ose në faqen 53: “Për shkak se njeriu nuk e njeh më turpin, ai jeton në kohën më të turpshme të historisë së tij.” Tek aforizmat e tjera, ne mendojmë se çfarë nënkuptohet: “Pas shpikjes së fotografisë, njerëzimi është më pak i lumtur”(faqe 12) ose “Ajo që zbut rrugët është ecja e një gruaje” (faqe 64). Këtu imagjinohen imagjinata dhe mendimi ynë i mëtutjeshëm.
Roland Spahiu në “Zbrazëtirë” prek temat e rëndësishme të njerëzimit: dashurinë, shoqërinë, natyrën, përvojën e jetës, politikën dhe shumë më tepër. Përsëri bëhet filozofik, qoftë në vërejtjet epistemologjike (“Frika nuk është një gjë që duhet të të frikësojë" (faqe 122), qoftë në referencat etike: “Nuk ka asgjë më të trishtuar se kur një njeri i mirë fshihet” (faqe 105)
Ata që e lejojnë veten të tërhiqen në zbrazëtinë e faqeve të libërthit, do të përjetojnë plotësimin që u është premtuar në formë pyetjeje në faqen 66. Ai do të marrë një mori sugjerimesh të shpërndara në zbrazëti, nga të cilat mund të marrë ato që i pëlqen veçanërisht ose që i premtojnë rezultatit të të menduarit. Secili njeri kureshtar, çdo njeri me vesh të hapur dhe një zemër të hapur nuk do të mbërrijë lehtë në fundin e kësaj buqete aforizmash!
Dr. Klaus Wloemer, Oberhünigen dhe Solothurn
Universiteti Bern (Zvicër). Përktheu: Neki Jahaj