Çdo fotografi e vjetër dhe e re të Tiranës e mbart atë si element thuajse ikonik. E përfunduar në dekadat e para të shekullit XIX, Xhamia e Et’hem Beut përfaqëson një nga objektet historike të kryeqytetit shqiptar.
Si të rilindur e si xhevahir e ka cilësuar kryeministri Edi Rama procesin e restaurimit të kësaj xhamie.
“Xhamia e rilindur e Et'hem Beut, çfarë xhevahiri”, ka shkruar ai në faqen zyrtare në “Facebook” duke e shoqëruar edhe me një fotografi ku vështron ornamentet e brendshme të xhamisë.
Gjatë vizitës inspektuese në punimet restauruese të xhamisë së Et’hem beut në kryeqytet, Rama ka thënë se ky xhevahir i trashëgimisë kulturore është kthyer në krejt shkëlqimin e vet.
“Pas një pune të gjatë milimetrike, që ka nxjerrë gjithçka fshihej nën shtresat e kohërave dhe sot është vendi ideal, për të uruar Muajin e Madh të Ramazanit me besimin e madh se ky do të jetë edhe një muaj i afrimit vendimtar me dritën në fundin e tunelit rraskapitës të pandemisë”, ka thënë ai.
Ndërkaq ministrja e Kulturës e Shqipërisë, Elva Margariti – që shoqëroi kryeministrin gjatë kësaj vizite – ka shpjeguar se punimet në këtë xhami tashmë janë në fazën përfundimtare.
“Kjo besoj është një nga punët më ekselente që janë kryer në Shqipëri në restaurime të tilla xhamish”, ka thënë Margariti teksa ka bërë me dije se ka përfunduar edhe pjesa e ndriçimit të jashtëm të xhamisë.
Kjo xhami i është nënshtruar restaurimit nëpërmjet një projekti të Agjencisë Turke për Bashkëpunim dhe Koordinim, TIKA. Në fillim të këtij viti ishte ngritur akuza se po dëmtohej minarja e xhamisë.
{gallery}
“Xhamia e rilindur e Et'hem Beut, çfarë xhevahiri”, ka shkruar kryeministri Rama në faqen zyrtare në “Facebook” duke e shoqëruar edhe me një fotografi ku vështron ornamentet e brendshme të xhamisë